Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Pas vitesh përmbytjesh të njëpasnjëshme, Xhamia e Plumbit në Shkodër i ka rezistuar me sukses reshjeve të dendura të 24 orëve të fundit, pa pësuar asnjë dëmtim. Falë punimeve të restaurimit dhe konservimit si edhe ndërtimit të mbrojtjes me rrethimin-digë, monumenti është tashmë i mbrojtur dhe i sigurt. Aktualisht, pompat vijojnë të funksionojnë në kapacitet të plotë, duke garantuar kontrollin e ujërave dhe mbrojtjen e plotë të këtij objekti të trashëgimisë sonë kulturore.

Monument kulture i kategorisë së parë, Xhamia e Plumbit, ndërtuar nga Mehmet Pashë Bushati, është xhamia më e madhe dhe më e vjetër në Shqipëri. Projekti i restaurimit, i realizuar me mbështetjen e qeverisë turke, ka rikthyer plotësisht vlerat historike dhe arkitekturore të saj, duke e bërë sërish të aksesueshme për besimtarët, vizitorët vendas dhe turistët e huaj.
Ky rezultat është një dëshmi e rëndësisë së investimeve në ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, si pjesë e përpjekjeve për të siguruar që monumentet tona historike t’i rezistojnë kohës dhe natyrës.