Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Ministri Blendi Gonxhja së bashku me përfaqësues të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit në një takim pune me ekipin e Muzeut MAXXI, gjatë të cilit u prezantua Raporti Strategjik për Galerinë Kombëtare të Arteve. Raporti synon identifikimin e sfidave kryesore institucionale, analizën e modeleve bashkëkohore të administrimit dhe menaxhimit, propozimin e një strukture të re organizative, si dhe ndërtimin e një modeli financiar për qëndrueshmëri afatgjatë. Ky proces do të pasohet nga programe trajnimi për stafin dhe zhvillimi i programeve kulturore, në funksion të forcimit të kapaciteteve institucionale dhe rritjes së impaktit publik të Galerisë.

Në këtë kuadër, Galeria Kombëtare e Arteve, krahas infrastrukturës së re dhe të përmirësuar, do të ofrojë edhe një qasje të re dhe gjithëpërfshirëse në zhvillimin e saj artistik dhe institucional. Kjo qasje do të fokusohet në pasurimin e koleksionit përmes politikave të reja të blerjes dhe komisionimit, forcimin e kapaciteteve për restaurimin dhe konservimin e veprave të artit, zhvillimin e programeve kuratoriale bashkëkohore, si dhe zgjerimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare me institucione dhe rrjete muzeale. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet gjithashtu edukimit të brezave të rinj, përmes programeve edukative, ndërmjetësimit kulturor dhe përfshirjes aktive të publikut të ri, duke e kthyer Galerinë në një hapësirë dinamike mësimi, dialogu dhe krijimtarie.

Foto Album, kliko këtu!