Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Shqipëria po prezantohet me sukses në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit FITUR në Madrid, një nga ngjarjet më të rëndësishme globale për industrinë e turizmit dhe pikëtakimi i parë i vitit për profesionistët e sektorit, ku marrin pjesë mbi 160 vende dhe më shumë se 10,000 kompani nga e gjithë bota.

Stenda shqiptare ka tërhequr interes të jashtëzakonshëm nga vizitorët dhe profesionistët ndërkombëtarë, të cilët po përjetojnë nga afër pasurinë kulturore, gastronominë tradicionale, artizanatin dhe eksperiencat turistike inovative përmes teknologjisë VR, degustimeve, performancave live dhe mikpritjes karakteristike shqiptare. Shqipëria po prezantohet si një destinacion autentik, gjithëpërfshirës dhe i vizitueshëm gjatë gjithë vitit.

Gjatë ditës së parë të panairit janë zhvilluar takime të nivelit të lartë me grupe kryesore spanjolle me aktivitet të konsoliduar në sektorin e hotelerisë, udhëtimeve dhe shërbimeve të kohës së lirë. Këto takime synojnë ndërtimin e partneriteteve afatgjata dhe strategjike, në funksion të vizionit për ndërkombëtarizimin e turizmit shqiptar.

Përmes këtyre bashkëpunimeve, synohet integrimi real i Shqipërisë në tregun global të turizmit, jo vetëm si destinacion për vizitorë të huaj, por si pjesë aktive e rrjeteve, standardeve dhe modeleve ndërkombëtare të industrisë, duke mundësuar adoptimin gradual të praktikave më të mira, standardeve të avancuara dhe markave lider spanjolle në tregun turistik shqiptar.

Foto Album, kliko këtu!