Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Shqipëria po merr pjesë në Asamblenë e 26-të të Përgjithshme të UN Tourism, që po zhvillohet në Riad, kryeqytetin e Mbretërisë së Arabisë Saudite. Kjo ngjarje e rëndësishme ndërkombëtare mbledh përfaqësues nga rreth 150 vende anëtare dhe ministri homologe për të diskutuar mbi zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, partneritetet ndërkombëtare dhe sfidat e reja me të cilat përballet sektori.

Në prag të Asamblesë, përfaqësuesit e Shqipërisë patën kënaqësinë të përshëndesin Ministrin e Turizmit të Arabisë Saudite, SHTZ. Ahmed Al Khateeb, duke e falënderuar për mikpritjen dhe mundësitë e reja të bashkëpunimit dypalësh.

Gjatë punimeve të Asamblesë, u zhvilluan takime dypalëshe me përfaqësues të vendeve të tjera, ndër to me Sekretarin e Shtetit për Turizmin, Tregtinë dhe Shërbimet e Portugalisë, z. Pedro Machado, ku u diskutua për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e mikpritjes dhe arsimit profesional. Palët ranë dakord për nënshkrimin e një Memorandumi Mirëkuptimi (MoU), që do të konkretizojë bashkëpunimin në ngritjen e institucioneve të ekselencës në turizëm, promovimin e destinacioneve dhe nxitjen e investimeve ndërkombëtare në sektorin e hotelerisë.

Gjithashtu, u zhvillua një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të UN Tourism, z. Zurab Pololikashvili, i cili në janar përmbyll mandatin e tij pas një periudhe të suksesshme në krye të organizatës. Shqipëria shprehu mirënjohje për mbështetjen e tij të vazhdueshme dhe për kontributin në promovimin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare.

Në kuadër të ngjarjes, u zhvillua edhe një takim me Khaby Lame, një nga influencerët më të njohur në botë dhe tashmë UN Tourism Social Ambassador. Ai u ftua të vizitojë së shpejti Shqipërinë, për të zbuluar dhe ndarë me ndjekësit e tij nga e gjithë bota bukuritë dhe mikpritjen shqiptare.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë Asamble nënvizon angazhimin për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar, promovuar turizmin e qëndrueshëm, kulturor dhe inovativ, si dhe për të ndërtuar destinacione konkurruese me standarde të larta mikpritjeje.