Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, priti drejtuesin e Inter Club Albania, Juxhinin, fan-klubit më të madh të F.C. Internazionale Milano jashtë Italisë, për të diskutuar krijimin e një Akademie zyrtare të Interit në Shqipëri. Ky projekt synon të promovojë zhvillimin e talenteve të rinj, të rrisë pjesëmarrjen e komunitetit dhe të ndërtojë një teren sportiv multifunksional në Tiranë, duke vendosur Shqipërinë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare përmes një marke sportive globale si Interi. Inter Academy Albania pritet të përfaqësojë një hap historik për futbollin shqiptar dhe për brezat e rinj, duke krijuar jo vetëm një bashkëpunim sportiv, por edhe një nismë gjithëpërfshirëse sociale dhe edukative, që lidh drejtpërdrejt klubin legjendar italian me sportdashësit vendas dhe rajonalë. Ministri Gonxhja nënvizoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi për futbollin, turizmin dhe zhvillimin komunitar, duke premtuar se në nëntor do të zhvillohet një takim në Milano për konkretizimin e angazhimit dhe finalizimin e planit të punës. Ky projekt synon të jetë një model për zhvillimin e sportit në Shqipëri, duke sjellë eksperiencën dhe standardet më të larta ndërkombëtare direkt në vend.