Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, zhvilloi një takim frytdhënës me përfaqësuesit e AICS, Institutit Italian të Kulturës dhe Ambasadorin e Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, ku u diskutuan ide dhe projekte konkrete që synojnë thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e artit, krijimtarisë dhe kulturës. Në qendër të bisedës ishin krijimi i Muzeut Italian në Tiranë, me koleksione arti italiane; bashkëpunimi me muzeun MAXXI në kuadër të marrëveshjes qeveritare Shqipëri–Itali, që pritet të nënshkruhet së shpejti në Romë; zhvillimi i eventeve kulturore për vitin 2026, në fushat e kinematografisë dhe muzikës; rijetëzimi i Parkut të Arteve (Kinostudio); si dhe përgatitja e një pakete projektesh me rëndësi për artin bashkëkohor. Ky takim shënon një tjetër hap përpara në forcimin e marrëdhënieve kulturore mes Shqipërisë dhe Italisë, duke ndërtuar ura të reja bashkëpunimi dhe duke e vendosur krijimtarinë artistike në qendër të dialogut ndërkulturor.