Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, së bashku me Kryeministrin Edi Rama, morën pjesë në prezantimin e projektit vizionar të Qendrës së Vizitorëve në Butrint, varianti final i hartuar nga Kengo Kuma & Associates, një prej studiove më të njohura ndërkombëtare të arkitekturës bashkëkohore. Ky projekt është mundësuar nga Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, në partneritet me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, dhe përfaqëson një nga ndërhyrjet më domethënëse në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë. Qendra e re do të shërbejë si porta hyrëse e Parkut Kombëtar të Butrintit, duke ofruar një përvojë të re për vizitorët përmes ndërthurjes së historisë, natyrës dhe teknologjisë, me qëllim që vizita në Butrint të jetë më e thellë, më e ndërgjegjshme dhe më edukative. Arkitektura e konceptuar nga Kengo Kuma ndërthur drurin, dritën natyrale dhe hapësirat e qeta, duke u përshtatur në mënyrë organike me peizazhin unik të Butrintit. Ndërtimi mbi themele të cekëta garanton mbrojtjen e shtresave arkeologjike nën tokë, duke ndjekur standardet më të avancuara ndërkombëtare të ruajtjes së trashëgimisë kulturore. Në fjalën e tij, Ministri Gonxhja theksoi se “ky projekt është një mënyrë e re për ta përjetuar historinë me kujdes, respekt dhe ndjeshmëri për çdo shtresë të këtij siti unik, duke krijuar një përvojë që i flet së shkuarës me gjuhën e së sotmes dhe brezave të ardhshëm”. Ky investim shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit kulturor, duke e pozicionuar Butrintin jo vetëm si një nga destinacionet më të rëndësishme të UNESCO-s, por edhe si një model referimi për menaxhimin bashkëkohor të trashëgimisë kulturore.