Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Në mbështetje të dispozitave të Ligjit nr. 7961, datë 12.07.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, të strukturës dhe organikës së miratuar të institucionit, si dhe të Rregullores së Organizimit dhe Funksionimit të Brendshëm të Muzeut Historik Kombëtar, miratuar me urdhrin nr. 509, datë 09.12.2020, Muzeu Historik Kombëtar shpall procedurën për plotësimin e një vendi të lirë pune, si më poshtë:

Pozicioni vakant

Titulli i vendit të punës: Specialist për zhvillimin e audiencës dhe veprimtarive në Komunikim dhe Zhvillim

Numri i pozicionit: 1 (një)

Kategoria e pagës: IV-2

Lloji i kontratës: Me kohë të plotë

Vendndodhja: Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë

Përshkrimi i përgjithshëm i pozicionit

Pozicioni ka për qëllim realizimin e veprimtarive të komunikimit institucional dhe promovimit të Muzeut Historik Kombëtar, zhvillimin e marrëdhënieve me publikun dhe median, si dhe mbështetjen e proceseve që lidhen me zhvillimin e audiencës, organizimin e aktiviteteve dhe zbatimin e nismave për zhvillimin e institucionit.

Detyrat kryesore

  1. Është përgjegjës për nxitjen e imazhit publik të muzeut, komunikimit të jashtëm, kërkimet dhe zhvillimet për audiencë, si dhe për mbledhjen e fondeve;
  2. Mbulon marrëdhëniet me publikun dhe komunikimin me jashtë, duke përfshirë deklaratat për shtyp dhe komunikime të tjera me median;
  3. Sugjeron dhe zbaton metoda për zhvillimin e mëtejshëm të audiences, si dhe të marketingut të zbatueshme për institucionet jofitimprurëse dhe muzetë në veçanti;
  4. Përgjigjet për ruajtjen dhe përditësimin e prezencës online të institucionit Muzeu Historik Kombëtar;
  5. Identifikon mundësitë për sponsorizime nga donatorë individualë dhe biznese, si dhe mundësi të tjera për bashkëfinancimin e projekteve;
  6. Në bashkëpunim me sektorët e tjerë përgatit publikimet informative në lidhje me veprimtaritë që zhvillohen në muze;
  7. Merret me organizimin e veprimtarive mbi ngjarjet dhe personalitet historike dhe çdo aktivitet tjetër të institucionit;
  8. Në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit, përgatit dhe ndjek programin e transparencës për Muzeun Historik Kombëtar.

Kushtet dhe kriteret e përgjithshme

Kandidati duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:

  • Të jetë shtetas shqiptar.
  • Të ketë zotësi të plotë për të vepruar.
  • Të zotërojë gjuhën shqipe, të folur dhe të shkruar.
  • Të jetë në kushte të mira shëndetësore për të përmbushur detyrat e vendit të punës.
  • Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për vepër penale.
  • Të mos ketë marrë masë disiplinore largimi nga puna për shkelje të rëndë.
  • Të ketë sjellje dhe integritet të lartë etik dhe moral.

Kriteret e veçanta

  • Diplomë e arsimit të lartë në një nga fushat: Komunikim/Marrëdhënie me Publikun, Gjuhë të huaja, Gazetari, Arte të Bukura, Menaxhim Kulturor, Shkenca Sociale.
  • Të ketë minimumi 3 (tre) vite përvojë pune në administratë shtetërore.
  • Të ketë aftësi në organizimin e aktiviteteve kulturore dhe nxitjes së imazhit public të institucionit.
  • Të zotërojë një gjuhë të huaj perëndimore (preferohet anglisht).
  • Të njohë përdorimin bazë të programeve kompjuterike (Word, Excel, PowerPoint)
  • Të jetë i/e gatshëm/e të punojë me orare të ndryshueshme, sipas nevojave të institucionit.

Dokumentacioni i kërkuar për aplikim

  1. Kërkesë për aplikim;
  2. Jetëshkrim (CV);
  3. Fotokopje e kartës së identitetit;
  4. Kopje e noterizuar e diplomës dhe listës së notave;
  5. Dokument që vërteton përvojën e punës (librezë pune ose kontrata të mëparshme);
  6. Kopje të noterizuara të çertifikatave të trajnimeve apo kualifikimeve shtesë (nëse ka);
  7. Vërtetim nga mjeku për gjendjen shëndetësore;
  8. Vërtetim i gjendjes gjyqësore
  9. Vërtetim nga gjykata
  10. Vërtetim nga prokuroria
  11. Vërtetim nga qëndra e banimit
  12. Letër motivimi dhe referencë nga punëdhënësi i mëparshëm.

Afati dhe mënyra e dorëzimit

Dokumentet duhet të dorëzohen brenda datës 6 Korrik 2026, në adresën: Muzeu Historik Kombëtar, Adresa: Rr. “Aleksandër Moisiu”, Nr. 76, ish Kinostudio “Shqipëria e Re”, kati II, godina e “Albafilm”, Tiranë, ose nëpërmjet postës elektronike në adresën zyrtare: muzeuhistorikkombetar@mhk.gov.al

Procesi i përzgjedhjes

Pas përfundimit të afatit të dorëzimit, do të ngrihet një komision vlerësimi me urdhër të drejtorit të institucionit, i cili do të shqyrtojë dokumentacionin dhe do të vlerësojë kandidatët sipas kritereve të përcaktuara. Kandidatët e përzgjedhur do të njoftohen për intervistë.