Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Një moment historik për Muzeun Arkeologjik të Durrësit dhe për vetë qytetin të cilit i rikthehet një hapësirë tërësisht e transformuar dhe e investuar në ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë sonë kulturore. Me standarde të reja funksionimi, kushte të përmirësuara dhe një ekspozitë të rikonceptuar po i kthejmë Durrësit dhe publikut një muze të ri, të restauruar plotësisht, thuajse të lindur prej fillimi, ku mbi 3200 artefakte rrëfejnë në mënyrë tejet elegante të shkuarën në pavionët e rikonceptuar, me një linjë të re muzeale që nxjerr në pah temat kryesore të narrativës së muzeut dhe periudhat kryesore historike si dhe parashikon të pasurojë e përditësojë ekspozimin me gjetje, ku spikat mbi të gjitha Bukuroshja e Durrësit, kthyer në shtëpi! Ky projekt, i realizuar në bashkëpunim me Bashkimin Europian përmes programit EU4Culture, zbatuar nga UNOPS është një dëshmi e qartë e angazhimit për të mbrojtur identitetin tonë dhe për ta kthyer atë në një aset zhvillimi për të ardhmen.

Dua të shpreh mirënjohjen për të gjitha hallkat pjesëmarrëse të institucioneve tona në projektet e Eu4Culture. Hartuesit e projekteve, bashkëpunëtorët dhe çdokënd që ka dhënë kontribut në këtë proces tejet të vështirë:

Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Institutin Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore, Qendrën Muzeore Durrës, autorët: Iris Pojani, Lorenc Bejko, Belisa Muka, Luan Përzhita; Kuratoren Yllka Gjikopuli.

Ata që qëndruan në kantier: Sabina Veseli, Eda Andoni, Elvana Metalla, Gjergji Vinjahu.

Në veçanti Lejla Hadziç që tashmë prej vitesh është më shumë se kurrë, shqiptare!

Muzeu hap dyert për publikun me hyrje të lirë për 15 ditët e para, si një ftesë për të gjithë vizitorët që të rikthehen dhe ta përjetojnë këtë hapësirë të re të kujtesës dhe dijes.

Foto album, kliko këtu!