Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka uruar Boranë Kalemin, Lavdërim Hoxhën, Sabjan Hasanin dhe Endis Dragonin, të cilët përmbyllën me sukses rrugëtimin e tyre në Programin LEAD Albania 2024–2025. Gjatë këtij viti, pjesëmarrësit e programit kanë qenë të angazhuar në kabinetet e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, duke sjellë profesionalizëm, ide të reja dhe përkushtim në shërbim të institucioneve publike. Ministri Gonxhja vlerësoi kontributin e tyre në zhvillimin e politikave publike që synojnë forcimin e turizmit, afirmimin e kulturës dhe nxitjen e sportit si vlera të përbashkëta të shoqërisë shqiptare. Ai theksoi se përvoja e fituar në kuadër të programit është një pasuri që do të reflektohet në mënyrë të drejtpërdrejtë në punën institucionale dhe në zhvillimin e mëtejshëm të sektorëve që ministria mbulon. Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit rikonfirmon angazhimin për të vijuar bashkëpunimin me profesionistë të rinj, duke i integruar ata në skuadrën e saj për të kontribuar me vizion, ekspertizë dhe energji në ndërtimin e politikave të reja zhvillimore.