Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Një ndër monumentet më të veçanta të trashëgimisë kulturore shqiptare, Kalaja e Borshit, pritet të marrë jetë të re përmes një ndërhyrjeje të rëndësishme që do të garantojë ruajtjen e vlerave historike dhe përmirësimin e përvojës së vizitorëve.

Projekti, i financuar nga Banka Botërore dhe implementuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Bashkinë Himarë, përfshin: konservimin dhe stabilizimin e strukturave ekzistuese të kalasë; restaurimin e xhamisë që ndodhet brenda monumentit; krijimin e elementëve të rinj arkitektonikë dhe interpretues, përfshirë monopate, panele informuese, platformë vëzhgimi dhe ndriçim artistik.

Këto ndërhyrje do të mundësojnë ruajtjen afatgjatë të monumentit, duke e kthyer Kalanë e Borshit në një destinacion kulturor e turistik të aksesueshëm dhe bashkëkohor.

Ky projekt është pjesë e vizionit të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit për rijetëzimin e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe integrimin e saj në zhvillimin e qëndrueshëm turistik të vendit.