Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Sporti shqiptar shënon një tjetër arritje historike në arenën ndërkombëtare. Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj është shpallur Kampion Bote në versionin IBO, për kategorinë Cruiserweight, pas një ndeshjeje mbresëlënëse ku mposhti me vendim unanim kundërshtarin kamerunas Rolly Lambert Fogoum. Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit uron Jurgen Uldedajn për këtë sukses të merituar, që frymëzon brezat e rinj të sportistëve dhe afirmon fuqinë e sportit shqiptar në skenën botërore. Ky rezultat i jashtëzakonshëm konfirmon nivelin e lartë të sportistëve shqiptarë dhe përkushtimin e tyre për të përfaqësuar me dinjitet flamurin kuqezi në kompeticionet më prestigjioze ndërkombëtare.