Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, inauguruam sot Muzeun Arkeologjik të Lezhës, një hapësirë që i shtohet mozaikut të pasur të vlerave kulturore dhe atraksioneve turistike të qytetit, duke sjellë historinë më pranë komunitetit dhe brezave të rinj. Përmes bashkëpunimit mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Institutit të Arkeologjisë dhe Bashkisë Lezhë, disa objekte arkeologjike me rëndësi të veçantë historike dhe shkencore rikthehen për ekspozim në territorin ku janë zbuluar, duke forcuar lidhjen mes trashëgimisë kulturore dhe identitetit lokal. I financuar nga Programi i Bashkëpunimit Ndërkufitar Shqipëri–Kosovë në kuadër të IPA II të Bashkimit Evropian, ky projekt dëshmon se kultura dhe trashëgimia janë ura bashkëpunimi që lidhin komunitetet dhe historinë tonë të përbashkët.

Muzeu Arkeologjik i Lezhës dhe Oda e Zejtarisë në Gjakovë vijnë si dy modele konkrete të këtij vizioni, duke kontribuar në zhvillimin kulturor, turistik dhe ekonomik të rajonit, si dhe në krijimin e një hapësire të re kujtese, identiteti dhe krenarie për qytetin e Lezhës.

Foto album, kliko këtu!