Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit mori pjesë në finalen e Konkursit Ndërkombëtar për Rilindjen e Pallatit të Sporteve “Asllan Rusi”, ku gjashtë skuadrat finaliste prezantojnë projekt-idetë e tyre arkitekturore përpara jurisë ndërkombëtare. Ky konkurs përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një ekosistemi të ri sportiv, që ndërthur infrastrukturën moderne me edukimin, komunitetin dhe ekonominë sportive, duke vendosur themelet për një Shqipëri më aktive, më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme. Në fjalën e tij, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, theksoi se “mbetemi plotësisht të angazhuar për të ndërtuar një model të ri zhvillimi, që kërkon inovacion, buxhetim multidimensional dhe financim kreativ, në sinergji me sektorin privat dhe me një vizion afatgjatë për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e aseteve sportive”. Projekti i ri i Pallatit të Sporteve “Asllan Rusi” synon krijimin e një Arene multifunksionale moderne, të certifikuar nga federatat ndërkombëtare si EHF dhe FIBA, me kapacitet rreth 6,000 spektatorë, e cila do të shërbejë si një qendër e rëndësishme për aktivitetet sportive kombëtare dhe ndërkombëtare, por edhe si një pikë e re e turizmit sportiv dhe eventeve ndërkombëtare në Tiranë. Kjo nismë përforcon vizionin e Qeverisë për ta kthyer sportin në një kulturë universale, që promovon zhvillimin, bashkëpunimin dhe mirëqenien përmes modeleve të qëndrueshme të partneritetit publik-privat.