Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Në bashkëpunim me Bashkinë Dropull, MTKS, IKTK e ekipit të DRTK Gjirokastër, si dhe me Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe komunitetin, kemi fuqizuar punën për mbrojtjen, restaurimin dhe promovimin e trashëgimisë së pasur kulturore e historike të zonës.

Në kuadër të përgatitjes së një aplikimi të përbashkët IPA, koordinuam hartimin e një strategjie të integruar që synon shpëtimin, restaurimin dhe rijetëzimin e disa monumenteve, përfshirë projektet e Manastirit të Ungjillizimit në Vanistër, Manastirit të Fjetjes së Hyjlindëses në Raven dhe monumente të tjera me vlera të veçanta në Goranxi. Njëherazi, do të zgjerohet lista e pasurive kulturore përmes shpalljes së interesit kulturor për objekte që ruajnë traditat dhe teknikat karakteristike të zonës, si Kisha e Manastirit të Kryeengjëjve mbi fshatin Derviçan, e cila do të përfshihet në vijim në procesin e restaurimit. Gjatë periudhës 2024-2025 kemi nisur dhe kryer ndërhyrje pastrimi, mirëmbajtje e restaurimi, në numër e vlerë investimi si kurrë më parë, por inventari e pasuria e jashtëzakonshme e zonës, si dhe urgjenca e nevojës për më shumë fonde e projekte kërkon sinergji e financime alternative të rëndësishme.