Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja u prit nga Lartësia e Tij Mbretërore, Princi Bader bin Abdullah bin Mohammed bin Farhan Al Saud, Ministër i Kulturës së Mbretërisë së Arabisë Saudite, një figurë udhëheqëse, që po luan një rol thelbësor në transformimin kulturor dhe artistik të vendit të tij në kuadër të vizionit ambicioz “Saudi Vision 2030”. Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, duke ofruar një mundësi të vlefshme për të diskutuar mënyrat konkrete të thellimit të bashkëpunimit kulturor ndërmjet Shqipërisë dhe Arabisë Saudite.

Gjatë bisedës u ndalën në rëndësinë e nxitjes së shkëmbimeve kulturore mes institucioneve, artistëve dhe krijuesve të të dy vendeve, si dhe në zhvillimin e industrive krijuese si burim i rëndësishëm ekonomik dhe diplomatik. U trajtuan gjithashtu mundësitë për bashkëpunim në fushën e filmit, artit pamor, ekspozitave ndërkombëtare dhe projekteve të përbashkëta që mund të promovojnë trashëgiminë kulturore, identitetin artistik dhe inovacionin krijues të secilit vend.

Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e ndërtimit të platformave të përbashkëta për dialog kulturor, edukim dhe bashkëpunim institucional, me qëllim që kultura të shërbejë si urë e fortë miqësie dhe mirëkuptimi mes popujve tanë. Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të marrëdhënieve kulturore Shqipëri–Arabi Saudite, duke krijuar bazat për partneritete afatgjata që kontribuojnë në rritjen e ndikimit kulturor të të dy vendeve në arenën ndërkombëtare.

Foto Album, kliko këtu!