Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Dita Ndërkombëtare kundër Trafikimit të Paligjshëm të Pasurive Kulturore na bashkon në një qëllim: mbrojtjen e historisë sonë të përbashkët dhe trashëgimisë që u takon brezave të djeshëm, të sotëm dhe të nesërm. Trafikimi i paligjshëm nuk është vetëm humbje materiale, por cënim i kujtesës kolektive dhe i identitetit kulturor që na lidh si shoqëri.

Në bashkëpunim të ngushtë me institucionet ligjzbatuese, partnerët ndërkombëtarë dhe komunitetet vendore, po forcojmë mekanizmat e dokumentimit, monitorimit dhe rikuperimit të pasurive të humbura, duke ndërtuar një sistem më të sigurt dhe më transparent për mbrojtjen e vlerave tona kulturore.

Kjo ditë shërben si një thirrje për vigjilencë, përgjegjësi dhe angazhim të përbashkët, që çdo objekt kulturor të mbetet aty ku i takon: në shërbim të dijes, edukimit dhe trashëgimisë për brezat që vijnë.

Imazhet në këtë video janë foto digjitale të objekteve që të cilat janë sekuestruar nga Policia e Shtetit dhe digjitalizuar në Njësinë e Digjitalizimit të Trashëgimisë Kulturore (EXPA). Kjo njësi është ngritur dhe zhvilluar falë mbështjetjes së Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim nëpërmjet projektit “Fuqizimi i muzeve përmes teknologjisë”. Digjitalizimi i objekteve shërben si një dëshmi e përpjekjeve të përbashkëta për mbrojtjen e pasurive tona kulturore.

Video, kliko këtu!