Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Ministri Blendi Gonxhja mori pjesë në ceremoninë e lançimit të strategjisë së re të Federatës Shqiptare të Futbollit, “Vision to Victory 2026–2030” i cili vendos në qendër pjesëmarrjen masive, zhvillimin e talenteve, përmirësimin e infrastrukturës sportive, edukimin dhe investimin afatgjatë. Strategjia e sheh futbollin jo vetëm si një garë sportive, por si një instrument të fuqishëm për përfshirje sociale, edukim të brezave të rinj dhe rritje të cilësisë së jetës në komunitet.

Ky vizion synon të krijojë një ekosistem të qëndrueshëm futbolli, ku çdo fëmijë dhe i ri të ketë mundësi të barabarta për t’u angazhuar në sport, për të zhvilluar talentin e tij dhe për të ndërtuar vlera si disiplina, puna në grup dhe fair play. Investimi në infrastrukturë moderne dhe programe edukative për trajnerë, mësues dhe sportistë, përbën një shtyllë kyçe për të garantuar zhvillim cilësor dhe të qëndrueshëm.

Nga fushat e vogla në komunitet, që shërbejnë si pikënisje e ëndrrave sportive, deri te stadiumi kombëtar, ku Shqipëria përfaqësohet me dinjitet në arenën ndërkombëtare; nga fëmijët që hedhin hapat e parë në sport, deri te ekipet kombëtare, ky vizion synon t’i lidhë të gjithë aktorët e futbollit në një rrugëtim të përbashkët drejt suksesit, përfaqësimit dhe krenarisë kombëtare.

Video, kliko këtu!