Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Parku Arkeologjik i Bylisit dhe Klosit po hyn në një fazë të re zhvillimi, me një qasje të integruar që synon ta kthejë këtë pasuri të rrallë në një eksperiencë të plotë kulturore dhe turistike.

Projekti, i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe qeveria italiane, parashikon ngritjen e një Qendre të re Multifunksionale, hartimin e një Master Plani të pikave të interesit, si dhe përmirësimin e aksesit, parkimit dhe sigurisë në park. Qendra Multifunksionale konceptohet si një hapësirë dinamike që ndërthur funksione muzeale dhe interpretimi, sallë për aktivitete kulturore, kënd informacioni, librari e suvenire, kafeteri, laborator konservimi dhe ambiente shërbimi për vizitorë e personel, duke e kthyer Bylisin dhe Klosin nga një sit arkeologjik në një eksperiencë të plotë kulturore, edukative dhe turistike. Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, në bashkëpunim me IKTK dhe partnerin ndërkombëtar AICS, synon jo vetëm konservimin e trashëgimisë, por edhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonës përmes turizmit dhe kërkimit shkencor. Në mbledhjen e djeshme të KKTU u miratua Leja e Zhvillimit për projektin dhe investimin që fillon së shpejti. MTKS po përmbyll punën për aktet nënligjore që janë tashmë gati për aspektin administrativ e menaxhues.