Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit

Antonino Mullisi, kampion Evrope dhe rekordmen evropian në Kampionatin Evropian për të Rinj 2026 në Kosovë! Peshëngritësi i talentuar shqiptar ka shkruar një faqe të re suksesi për sportin shqiptar. Me një paraqitje të jashtëzakonshme, Mullisi u shpall kampion Evrope në stilin e shkëputjes dhe i dhuroi Shqipërisë tri medalje. Arritja e tij mori përmasa historike me thyerjen e dy rekordeve evropiane, një në stilin e shkëputjes dhe një tjetër në dygarësh.

Ky sukses u arrit nën drejtimin e trajnerëve të ekipit kombëtar, z. Artur Lagja dhe z. Florenc Çela, si edhe falë mbështetjes dhe përkushtimit të presidentit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, z. Elez Gjoza, i cili vijon të investojë në zhvillimin e talenteve të reja dhe forcimin e peshëngritjes shqiptare.

Rezultatet e Antonino Mullisit dëshmojnë se strategjia e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes për mbështetjen e sportistëve të rinj dhe zëvendësimin e brezave po jep frytet e saj, duke garantuar një të ardhme premtuese për këtë sport.