Ministry of Tourism, Culture and Sport

Sezoni i gërmimeve arkeologjike 2026 në kuadër të projektit kërkimor “Lagja romake-bizantine jashtë mureve të Castrum Scampis – Bazilika paleokristiane extra muros”, të zhvilluara nga Instituti i Arkeologjisë i Akademisë së Shkencave në zonën e Scampis, ka sjellë një zbulim të jashtëzakonshëm: mozaikë të panjohur më parë, që i përkasin një faze më të hershme të bazilikës paleokristiane jashtë mureve të qytetit antik. Mes tyre spikat një mozaik polikrom me skenën e Eukaristisë, i ruajtur në gjendje shumë të mirë, si edhe një mbishkrim ku përmenden dy dhurues, ndër ta diakonesha Euridyce.

Projekti është miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM) dhe, në vijim të këtyre zbulimeve që pasurojnë njohuritë mbi historinë e Elbasanit dhe trashëgiminë e tij kulturore, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan, po përgatit projektin për rehabilitimin e zonës përreth monumentit, si dhe për restaurimin dhe konservimin e tij, me synim mbrojtjen, valorizimin dhe kthimin e kësaj pasurie në një destinacion të aksesueshëm për publikun dhe vizitorët.