Ministry of Tourism, Culture and Sport

Për shumë kohë Mozaiku i Tiranës ka qenë një fragment historie që nuk ka marrë vëmendjen e duhur. Sot, falë një qasjeje të re mbi trashëgiminë kulturore, ky sit shndërrohet në një hapësirë ku e shkuara nuk ekspozohet thjesht për t’u parë, por ftohet të hyjë në dialog me të tashmen. Teknologjia nuk vendoset përballë monumentit, por në shërbim të tij; jo për ta zëvendësuar kujtesën, por për ta bërë atë më të lexueshme.

Ky transformim merr formë përmes tre risive thelbësore: rindërtimit tredimensional të vilës romake mbi gjurmët e saj origjinale, instalacioneve digjitale interaktive që i japin vizitorit një përvojë të re interpretimi dhe përdorimit, për herë të parë në Shqipëri, të teknologjisë Gigapixel për dokumentimin dhe rindërtimin digjital të Mozaikut të Tiranës dhe mozaikut të Eksonarteksit të Katedrales së Bylisit.

Mozaiku i Tiranës rikthehet kështu jo vetëm si një monument i restauruar, por si një model i ri i interpretimit të trashëgimisë kulturore, ku ruajtja, kërkimi shkencor dhe inovacioni bashkëjetojnë në funksion të publikut.

Foto album, kliko këtu!