Ministry of Tourism, Culture and Sport

Në kuadër të pjesëmarrjes në MIPIM 2026Cannes, Shqipëria po prezantohet në një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare për zhvillimin dhe investimet në pasuri të paluajtshme, duke sjellë një portofol prej 83 projektesh strategjike që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin e turizmit, infrastrukturës dhe territorit. Kjo pjesëmarrje synon të rrisë interesin e investitorëve ndërkombëtarë dhe të forcojë pozicionin e vendit në hartën globale të investimeve.

Përmes pavijonit “Soundscapes of Albania”, të kuruar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Shqipëria po ndan me partnerë dhe investitorë ndërkombëtarë potencialin e saj të jashtëzakonshëm turistik, si dhe vizionin për një turizëm cilësor, të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor. Ky prezantim kontribuon në konsolidimin e mëtejshëm të vendit si një destinacion tërheqës për turizmin dhe investimet ndërkombëtare.

Si drejtues i delegacionit shqiptar për pritjen shqiptare të datës 12 mars dhe në cilësinë e Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, pjesëmarrja në këtë event përfaqëson një nder të veçantë, duke pasur parasysh rëndësinë globale të kësaj platforme, ku ekspozojnë protagonistët e mbi 4 trilionë euro asete. Në këtë kuadër, Shqipëria kontribuon aktivisht në rritjen e dialogut dhe në forcimin e partneriteteve me investitorë që ndajnë të njëjtin vizion për zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë.

Gjithashtu, pjesëmarrja në MIPIM 2026 shërben si një mundësi konkrete për të thelluar bashkëpunimin me partnerë dhe investitorë francezë, por edhe globalë, duke nxitur projekte që mbështesin zhvillimin ekonomik dhe kulturor të vendit dhe duke e pozicionuar Shqipërinë gjithnjë e më shumë si një aktor të rëndësishëm në sektorin ndërkombëtar të turizmit dhe pasurive të paluajtshme.

Foto album, kliko këtu!

Video, kliko këtu!