Ministry of Tourism, Culture and Sport

Të nderuar përfaqësues të diasporës shqiptare,
të nderuar miq, zonja dhe zotërinj,

Është një privilegj i veçantë të jem sot mes jush, në Samitin e Diasporës, në një moment ku ne nuk jemi thjesht duke diskutuar lidhje emocionale me atdheun, por duke ndërtuar së bashku një vizion të përbashkët për të ardhmen e Shqipërisë kudo ku jetojnë shqiptarët.

Në një botë gjithnjë e më të globalizuar, ku kufijtë fizikë po zbehen dhe lidhjet njerëzore, kulturore dhe profesionale po forcohen, diaspora shqiptare është kthyer në një nga asetet më të rëndësishme kombëtare. Ajo nuk është më vetëm një histori emigracioni, por një forcë e gjallë zhvillimi ekonomik, kulturor dhe diplomatik.

Sot, marrëdhënia me diasporën kërkon një qasje të re: më strategjike, më të strukturuar dhe më gjithëpërfshirëse. Nuk mjafton më vetëm ruajtja e lidhjeve simbolike me atdheun; ne kemi nevojë për mekanizma konkretë që e bëjnë diasporën pjesë aktive të vendimmarrjes, të zhvillimit dhe të projekteve kombëtare.

Në këtë kuadër, Shqipëria po ndërton një vizion të ri ku kultura dhe turizmi janë dy shtylla të ndërthurura të diplomacisë dhe zhvillimit.

Kultura është gjuha jonë e përbashkët, është mënyra si ne tregojmë historinë tonë, si ndërtojmë ura besimi dhe si projektojmë identitetin tonë në botë. Prandaj, diplomacia kulturore është kthyer në një nga instrumentet më të rëndësishme të politikës sonë publike dhe është një nga 3 shtyllat kryesore të Strategjisë Kombëtare të Kulturës 2026-2030.

Ky ndryshim qasjeje nënkupton një transformim thelbësor: kultura nuk shihet më si një sektor i mbyllur, por si një dimension ndërsektorial që ndikon drejtpërdrejt në ekonomi, në turizëm, në diplomaci dhe në imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.

Sot, Shqipëria mirëpret mbi 12 milionë vizitorë në vit, një shifër që dëshmon jo vetëm rritjen e jashtëzakonshme të interesit ndërkombëtar, por edhe konsolidimin e vendit tonë si një destinacion i rëndësishëm në hartën globale të turizmit.

Ky zhvillim ka sjellë një ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë vendase. Ai ka nxitur krijimin e një vale të re sipërmarrjesh në sektorin e mikpritjes, shërbimeve, kulturës dhe turizmit të përvojës. Në të gjithë territorin e vendit janë hapur biznese të reja, janë krijuar vende pune dhe është forcuar ekonomia lokale, duke e kthyer turizmin në një motor të vërtetë zhvillimi.

Në këtë proces, një rol gjithnjë e më të rëndësishëm ka filluar të luajë edhe diaspora shqiptare. Përmes investimeve, përvojës së fituar në tregje ndërkombëtare dhe sjelljes së standardeve të reja të menaxhimit, ajo po kontribuon në mënyrë të drejtpërdrejtë në ngritjen e cilësisë së sipërmarrjes shqiptare. Diaspora po shndërrohet në një urë të rëndësishme transferimi të dijes dhe praktikave më të mira globale, duke sjellë jo vetëm kapital, por edhe kulturë biznesi, inovacion dhe vizion afatgjatë për zhvillim të qëndrueshëm.

Shqipëria e sotme megjithatë, nuk është më vetëm një vend që pret botën. Ajo është një vend që po e çon veten drejt saj.

E çon përmes kulturës, përmes gjuhës, përmes artit dhe përmes historisë së saj të pasur. E çon drejt komuniteteve shqiptare kudo në botë, por edhe drejt audiencave të reja që ende nuk e njohin mjaftueshëm potencialin dhe historinë e saj.

Në këtë frymë, programi i nisur për herë të parë vitin e kaluar, “CulturAlb – Ditët Kulturore Shqiptare në Botë”, ka shënuar një hap të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e kulturës sonë, duke sjellë qindra aktivitete dhe artistë shqiptarë në skena ndërkombëtare dhe duke forcuar praninë kulturore të Shqipërisë në botë.

Po ashtu, një dimension gjithnjë e më i rëndësishëm i kësaj pranie ndërkombëtare është edhe pjesëmarrja jonë në panairet më të mëdha globale të turizmit dhe industrisë kreative, si ITB Berlin apo FITUR në Madrid, ku Shqipëria nuk prezantohet më vetëm si një destinacion turistik, por si një përvojë e plotë kulturore, historike dhe krijuese. Këto platforma ndërkombëtare kanë shërbyer për të rritur dukshmërinë e vendit, për të forcuar partneritetet me aktorë globalë, por edhe aktorë aktiv të diasporës sonë dhe për të pozicionuar Shqipërinë si një destinacion në rritje, ku kultura dhe turizmi ecin së bashku si një ofertë e integruar zhvillimi.

Paralelisht, ne kemi rritur mbështetjen për artistët dhe projektet kulturore, kemi zgjeruar mobilitetin ndërkombëtar dhe kemi krijuar instrumente të reja që synojnë jo vetëm prodhimin artistik, por edhe qëndrueshmërinë ekonomike të sektorit krijues.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm është ndërtimi i një infrastrukture kulturore shqiptare jashtë vendit. Ne po punojmë së bashku me Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, për krijimin e qendrave kulturore shqiptare në botë, të cilat do të funksionojnë si ambasada të kulturës sonë. Këto qendra do të jenë hapësira ku gjuha shqipe mësohet dhe transmetohet, ku arti shqiptar prezantohet dhe promovohet, ku traditat ruhen dhe përshtaten me kohën, dhe ku komunitetet shqiptare gjejnë një pikë referimi identitare dhe kulturore.

Por mbi të gjitha, këto qendra do të jenë hapësira bashkëkrijimi.

Ato do të lidhin artistët shqiptarë me ata ndërkombëtarë, do të nxisin projekte të përbashkët, ekspozita, festivale dhe iniciativa që e vendosin kulturën shqiptare në dialog të drejtpërdrejtë me kulturat e tjera.

Paneli i sotshëm vendos në qendër një pyetje thelbësore: si mund ta kthejmë identitetin tonë kulturor në një prani të strukturuar dhe të qëndrueshme në diasporë?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, kemi nevojë për bashkëpunim, për reflektim dhe për shkëmbim përvojash.

Është një vlerë e veçantë prania e znj. Saranda Bogujevci, Ministre e Kulturës dhe Turizmit e Republikës së Kosovës, e cila sjell një perspektivë të rëndësishme rajonale dhe një përvojë konkrete në ndërtimin e politikave që lidhin kulturën me identitetin dhe diasporën, e qasjes së përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës, si dy shtete por si një komb, me ëndrra dhe vizione të përbashkata.

Trashëgimia kulturore është ajo çna na bashkon,

Ndaj, dëshiroj të ndalem edhe te një nga programet më të rëndësishme zhvillimore në territor: Programi i Kullave të Shqipërisë së Veriut.

Ky program e sheh trashëgiminë jo si një kujtim të ngrirë në kohë, por si një burim të gjallë zhvillimi. Përmes restaurimit të kujdesshëm dhe respektimit të autenticitetit arkitektonik, kullat e veriut po transformohen në qendra kulturore lokale, muze komunitarë dhe hapësira të lidhura me turizmin malor dhe kulturor.

Në këtë mënyrë, ato po bëhen pjesë e një ekosistemi të ri zhvillimi, ku trashëgimia, komuniteti dhe ekonomia ndërthuren në mënyrë të qëndrueshme dhe krijojnë vlerë reale për territorin dhe njerëzit.

Dhe pikërisht këtu, roli i diasporës shqiptare është thelbësor. Rëndësia e saj qëndron jo vetëm në lidhjen emocionale me vendin e origjinës, por në aftësinë për ta kthyer këtë trashëgimi në mundësi konkrete zhvillimi. Përmes njohurive të fituara jashtë vendit, përvojës ndërkombëtare, kapitalit dhe rrjeteve të bashkëpunimit, diaspora mund të sjellë modele të reja menaxhimi, ide inovative dhe partneritete që e bëjnë këtë proces më të qëndrueshëm dhe më konkurrues.

Ne ju ftojmë të bëheni pjesë aktive e këtij procesi: përmes ideve, investimeve, projekteve të përbashkëta dhe bashkëkrijimit kulturor dhe ekonomik.

Në përmbyllje, sfida jonë nuk është vetëm të ruajmë identitetin, por ta bëjmë atë të jetojë, të zhvillohet dhe të krijojë vlerë për brezat që vijnë.

Ju jeni ambasadorët më autentikë të Shqipërisë në botë. Ju jeni ata që e përktheni identitetin tonë në kultura të ndryshme, në gjuhë të ndryshme dhe në realitete të ndryshme.

Ndaj, ne duam të ndërtojmë me ju një partneritet të ri: një partneritet që shkon përtej nostalgjisë dhe emocioneve, dhe që kthehet në bashkëpunim konkret, në projekte të përbashkëta, në investime dhe në një hapësirë të përbashkët shqiptare globale.

Ju faleminderit!