Ministry of Tourism, Culture and Sport

I nderuar Kryeministër.

Të nderuar të pranishëm.

Sot është një moment tepër i veçantë dhe domethënës për zhvillimin galopant të Tiranës.

Do t’i rikthehem shkurtimisht historisë:

Kur në vitin 1982 nisën punimet për Pallatin e Kongreseve në aksin monumental të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, destinacioni i tij ishte i qartë. Ishte një godinë e konceptuar për një realitet tjetër politik dhe shoqëror, për një Shqipëri të izoluar, ku kongreset e partisë shërbenin si skena të demonstrimit të unitetit mes pushtetit dhe popullit.

Por historia e këtij institucioni nuk u ndal aty. Me kalimin e viteve, Pallati i Kongreseve u shndërrua në një hapësirë që mirëpriti festivale, panaire, ekspozita, samite, aktivitete kulturore dhe artistike. Ai u përshtat me ndryshimet e vendit dhe u bë dëshmitar i transformimeve të mëdha që përjetoi Shqipëria.

Sot, më shumë se katër dekada më vonë, Shqipëria nuk është më ajo e vitit 1982. Vendi ynë është i hapur ndaj botës, një hap larg anëtarësimit në Bashkimin Europian, një destinacion turistik që mirëpret miliona vizitorë çdo vit, një vend që po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi në hartën kulturore, ekonomike dhe diplomatike të rajonit.

Në këtë realitet të ri, kërkesat janë të tjera. Nevojat janë më të mëdha. Ambiciet janë më të larta. Dhe pikërisht për këtë arsye, na duhet një qendër e re multifunksionale, moderne, e denjë për Tiranën dhe për Shqipërinë e sotme.

Nuk bëhet fjalë vetëm për një godinë me kapacitete më të mëdha. Bëhet fjalë për një infrastrukturë moderne, të aftë të presë evente ndërkombëtare të përmasave më të mëdha, artistë të njohur botërorë, kongrese, samite, ekspozita dhe aktivitete që kërkojnë standardet më të larta teknike dhe organizative.

Rikualifikimi i kësaj ndërtese emblematike të Tiranës për ta shndërruar atë në një hapësirë multifunksionale të rinovuar, në shërbim të jetës kulturore, institucionale dhe publike.

Na duhet një hapësirë që të jetë njëkohësisht skenë kombëtare për talentet e reja shqiptare dhe një skenë ndërkombëtare për ngjarjet që e lidhin vendin tonë me botën. Një simbol i ambicies sonë për të mos qenë spektatorë të zhvillimeve, por pjesëmarrës dhe protagonistë në to.

Qendra e re multifunksionale duhet të mishërojë frymën e Tiranës së sotme: dinamike, krijuese, moderne dhe e hapur.

Duhet të ndërthurë traditën me inovacionin, kujtesën me të ardhmen, funksionalitetin me ekselencën arkitektonike, jetën urbane dhe kulturore, duke ruajtur vlerën e trashëgimisë si dhe të rrisë efiçencën dherolin e ndërtesës si dhe në mënyrë të veçantë vlerën ekonomike të Pallatit të Kongreseve.

Jam veçanërisht i kënaqur që kësaj thirrjeje i janë përgjigjur studio prestigjioze ndërkombëtare të arkitekturës. Interesi i tyre është një tregues i qartë i rëndësisë që Tirana ka fituar në arenën ndërkombëtare dhe i besimit që ekziston tek potenciali i qytetit tonë.

Sot ne hedhim një hap të rëndësishëm drejt realizimit të këtij vizioni. Shpallja e fituesit nuk është fundi i një gare, por fillimi i një sfide të re: ndërtimi i një vepre që do t’i shërbejë brezave, do të pasurojë jetën kulturore të vendit dhe do të bëhet një simbol i Shqipërisë moderne duke i dhënë një tjetër shije edhe përvojës së vizitorëve.

Mezi pres të shoh prezantimin e projekteve.

Faleminderit!