Ministry of Tourism, Culture and Sport

Kanali italian RAI, që historikisht ka qenë për shqiptarët një nga dritaret e para drejt kulturës dhe informacionit perëndimor, do të nisë së shpejti transmetimet radiofonike dhe televizive në gjuhën arbëreshe, në rajonin e Kalabrisë. Transmetimet pritet të nisin më 21 shtator, duke shënuar një hap të rëndësishëm në ruajtjen dhe promovimin e identitetit të komunitetit arbëresh në Itali. Përmes programacionit të ri, RAI Calabria do të prodhojë reportazhe dhe emisione kushtuar historisë, kulturës, gjuhës dhe traditave të pasura arbëreshe, që prej shekujsh përbëjnë një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Italisë. Ky programacion, i cili do të zgjasë 13 muaj, vjen pas marrëveshjes së nënshkruar midis Presidencës së Këshillit të Ministrave – Departamentit për Informimin dhe Botimin dhe RAI-t, duke i dhënë një vlerë të veçantë trashëgimisë gjuhësore dhe kulturore të shqiptarëve të Italisë.

Kjo nismë përbën një hap domethënës në përpjekjet për të mbrojtur dhe përcjellë gjuhën shqipe (arbëreshe) te brezat e rinj, si dhe për të forcuar lidhjet kulturore mes dy popujve, që ndajnë një histori të përbashkët miqësie dhe bashkëpunimi.