Ministry of Tourism, Culture and Sport

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, mori pjesë në prezantimin e konceptit për Ekspozitën Interaktive të Piramidës, një projekt që synon ta kthejë këtë hapësirë ikonike të Tiranës në një simbol të gjallë të së ardhmes kulturore dhe kreative të Shqipërisë. Ky projekt i ri i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) ndërthur trashëgiminë arkitekturore me teknologjinë bashkëkohore, duke krijuar një përvojë tërheqëse, gjithëpërfshirëse dhe dinamike për çdo vizitor. Ekspozita do të pasurojë më tej ofertën kulturore e turistike të kryeqytetit, duke e bërë Piramidën një hapësirë ku historia takohet me frymën moderne të Tiranës dhe ku çdo vizitor gjen diçka nga vetja, në kujtesë, në frymëzim apo në vizionin për të ardhmen. Me fokus te autenticiteti, inovacioni dhe qëndrueshmëria, Ekspozita Interaktive e Piramidës synon të kthehet në një pikë referimi rajonale, ku kultura shqiptare prezantohet me identitet, finesë dhe frymë bashkëkohore.