Ministry of Tourism, Culture and Sport

Në Parkun Kombëtar të Butrintit, tashmë i administruar nga Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, kanë nisur ndërhyrjet për përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e standardeve të sigurisë në një prej siteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare. Punimet aktuale përfshijnë vendosjen e parmakëve mbrojtës pranë teatrit antik dhe në disa shtigje të parkut, ndërsa monitorimi 24/7 me sistem kamerash po ndihmon ekipin në terren për të garantuar mbarëvajtjen dhe ruajtjen e sitit, pjesë e UNESCO.

Butrinti vijon të mbetet një nga destinacionet më të vizituara në vend, me mbi 300 mijë vizitorë në vit. Gjatë takimit të Ministrit Blendi Gonxhja me kryetarin e Bashkia Sarandë, Olti Çaçi, dhe Drejtoren Ekzekutive të Fondacionit, Jorida Muho, u diskutuan projektet prioritare për zonën. Ndër temat kryesore ishin realizimi i parkimit publik në hyrje të zonës së mbrojtur, ngritja e qendrës së re të vizitorëve, si dhe muzeu arkeologjik i ri që fondacioni do të sponsorizojë pranë shëtitores kryesore të qytetit të Sarandës.

Po ashtu, u trajtuan çështje që lidhen me koordinimin e ndërhyrjeve infrastrukturore, ndriçimin e ri të segmentit hyrës rrugor, transportin tokësor dhe ujor, si edhe zhvillimin e aktiviteteve me komunitetin lokal, me synimin për ta kthyer Butrintin në një model modern të menaxhimit të trashëgimisë kulturore dhe turizmit të qëndrueshëm.

Foto album, kliko këtu!