Ministry of Tourism, Culture and Sport

Bazuar në Ligjin Nr. 9048, datë 07.04.2003 “Për Trashëgiminë Kulturore”, si dhe kërkesave dhe procedurës së përcaktuar për konkurim sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 173, datë 07.03.2003 “Për emërimin, lirimin ose shkarkimin nga detyra të drejtuesve të institucioneve, në varësi të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit ose Ministrit”,  Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit shpall konkursin për pozicionin:

Drejtor, në Muzeu Kombëtar “Gjethi”– Kategoria e pagës II-1

Përshkrimi përgjithësues i punës për këtë pozicion:

Hartimi i strategjisë dhe politikave të zhvillimit të Muzeut “Gjethi, ndjekja dhe zbatimi i tyre. Planifikimi dhe organizimi i veprimtarisë së institucionit mbështetur nga organet kolegjiale këshillimore.  Duke u angazhuar në ruajtjen, promovimin dhe zhvillimin e trashëgimisë historike e kulturore që përfaqëson Muzeu, si një pasuri me vlera të veçanta kombëtare dhe identitare. Përfaqësimi i institucionit pranë organeve shtetërore dhe ato ndërkombëtare. Drejtimi i veprimtarisë së institucionit bazuar në legjislacionin shqiptar.

Objektiva në administrim:

  1. Të sigurojë strategji financiare dhe mundësi të shumëllojshme financimi, si dhe të zotërojë qëndrime dhe aftësi menaxheriale dinamike;
  2. Menaxhimi i pasurisë muzeale dhe dokumentare:
  3. Të sigurojë zgjerimin e aksesit ndaj trashëgimise dhe historis kombëtare për fëmijë dhe të rinj, nëpërmjet programit “Edukimi përmes Kulturës”;
  4. Të krijojë kushte për shërbimet muzeale, ekspozuese dhe informuese;
  5. Të sigurojë ligjshmëri dhe transparencë të kontratave individuale dhe procedurave të punësimit;
  6. Të ndërtojë një plan buxhetor financiar të qartë vjetor.

Kushtet që duhet të plotësojë kandidati:

  1. Të jetë shtetas shqiptar;
  2. Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
  3. Të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur;
  4. Të jetë në kushte shëndetësore që e lejon të kryejë detyrën përkatëse;
  5. Të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundravajtje penale me dashje;
  6. Ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore e largimit nga puna për shkak të një shkeljeje të rëndë disiplinore;
  7. Të plotësojë kërkesat e posaçme për nivelin e arsimit, përvojës dhe të zotërojë aftësitë e nevojshme profesionale për vendin përkatës të punës;

Kandidati duhet të plotësojë kërkesat e posaçme sa vijon:

  1. Të zotërojë diplomë të nivelit “Master Shkencor” në shkenca shoqërore/filologjike, menaxhim, ekonomike apo edhe inxhinierike;
  2. Të ketë të paktën  5 vite përvojë pune në drejtim dhe menaxhim të vërtetuar me dokument;
  3. Të njohë problemet aktuale dhe sfidat e muzeologjisë me qëllim, reformimin e tij përkrah modeleve më të mira bashkëkohore;
  4. Të ketë përvojë në ndërtimin dhe mbajtjen e marrëdhënieve me donatorë dhe grupe të tjera interesi;
  5. Të ketë aftësi të dallueshme komunikimi në ruajtje dhe zhvillim të kontakteve brenda dhe jashtë institucionit, si dhe me partnerë vendorë e ndërkombëtarë;
  6. Të njohë legjislacionin kombëtar, evropian dhe atë ndërkombëtar në fushën e muzeologjisë dhe të trashëgimisë kulturore;
  7. Të ketë aftësi të shprehura për iniciativë dhe kreativitet;
  8. Të ketë njohuri të gjuhës angleze. Zotërimi i një gjuhe të dytë të BE përbën avantazh;

Dokumentacioni, mënyra dhe afati i dorëzimit

Kandidatët që aplikojnë duhet të dorëzojnë dokumentat si më poshtë:

  1. Jetëshkrimi CV;
  2. Fotokopje të diplomës dhe të listës së notave të noterizuara;
  3. Fotokopje të librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);
  4. Fotokopje të letërnjoftimit (ID);
  5. Vërtetim të gjendjes shëndetësore;
  6. Vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore;
  7. Çdo dokument tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive, rekomandime apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin e kandidatit.

Aplikimi dhe dorëzimi i dokumentave të bëhet brenda datë 25/11/2025, pranë Zyrës së Protokollit, në Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.