Ministry of Tourism, Culture and Sport

Nga Shkodra nisim punën përgatitore për sezonin e ri veror! Ministri Blendi Gonxhja bashkë me Bashkinë Shkodër dhe stafin teknik të portofolit të turizmit në MTKS, zhvilluan një takim pune për të diskutuar më gjerësisht potencialin turistik të qytetit dhe në veçanti, menaxhimin e plazheve dhe të bregdetit. Shkodra aktualisht administron një sipërfaqe prej 215 946 m² plazh, nga të cilat rreth 165 742 m² janë të lira dhe krijojnë një mundësi reale për zbatimin e një projekti pilot me fokus interesin publik dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve. Gjatë diskutimit u theksua nevoja për rregulla të qarta për përdorimin e parcelave, respektimin e standardeve për hapësirën mes çadrave dhe shezlongëve, monitorimin dhe pastrimin e plazheve me masa ndëshkuese deri në prishje kontrate për shkelësit, si dhe kontrollin e çmimeve abuzive në përputhje me shërbimet e ofruara. Po ashtu, u trajtuan kërkesat për zhvillimin e kinemave verore, aktiviteteve sportive dhe inovative, certifikimin e rojeve bregdetare dhe forcimin e Policisë së Bregdetit në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, si një prioritet për garantimin e sigurisë dhe rregullit.

Qëllimi është që përmes këtij modeli, çdo bashki që administron plazhe, të zbatojë detyrimet ligjore në mënyrë të plotë dhe të njëtrajtshme, duke garantuar hapësira më të aksesueshme për publikun, më shumë rregull e transparencë në menaxhim, si dhe standarde më të larta sigurie dhe cilësie për qytetarët dhe vizitorët.

Video, kliko këtu!