Ministry of Tourism, Culture and Sport

Në godinën historike të Sarajeve, do të ngrihet Muzeu i Artit dhe Trashëgimisë Islame, një projekt i Institutit Konak, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Turizmit dhe Sportit dhe Bashkinë e Tiranës.Ky muze do të shënojë një stacion të ri të rëndësishëm në hartën kulturore të kryeqytetit, duke pasuruar më tej mozaikun e institucioneve të reja kulturore si Teatri i ri Kombëtar dhe Galeria Kombëtare. Muzeu do të konceptohet si një hapësirë e gjallë, larg modelit tradicional ku ekspozitat mbeten statike. Krahas koleksionit të përhershëm, që do të lëvizë dhe evoluojë me kalimin e kohës, do të organizohen ekspozita të përkohshme, performanca artistike, diskutime kulturore dhe aktivitete ndërdisiplinore, duke e kthyer muzeun në një qendër aktive të dialogut dhe krijimtarisë. Trashëgimia islame përfaqëson një pjesë thelbësore të historisë sonë të përbashkët kulturore. Ajo nuk është një shtesë e huaj në identitetin evropian, por një element i integruar që ka ndikuar në zhvillimin e dijes, arkitekturës, filozofisë, shkencës dhe artit. Nga përkthimet që rigjallëruan dijet antike, deri te ndikimet e ndërsjella midis Lindjes dhe Perëndimit, kjo trashëgimi ka luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin e kulturës mesdhetare dhe rilindjes evropiane.

Krijimi i Muzeut të Artit dhe Trashëgimisë Islame është më shumë se një akt simbolik, është një domosdoshmëri kulturore dhe historike, që synon të rikthejë në ndërgjegjen publike këtë trashëgimi të përbashkët, duke thelluar kuptimin e identitetit tonë evropian dhe duke hapur një dialog të ri kulturor në zemër të Tiranës.