Ministry of Tourism, Culture and Sport

Në kuadër të Samitit të IV të Diasporës, nënshkruam marrëveshjen mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Fondacionit kulturor Besa për jetëzimin e Muzeut Besa në Tiranë, një projekt që synon të evokojë dhe të përcjellë përmes një muzealizimi dhe interpretimi të specializuar një nga kapitujt më domethënës të historisë dhe identitetit tonë. Muzeu Besa do të sjellë në vëmendje historitë e familjeve shqiptare që gjatë Luftës së Dytë Botërore strehuan dhe shpëtuan hebrenjtë, dhe jo vetëm, duke mishëruar vlerat e Besës Shqiptare: besnikërinë, mikpritjen, nderin dhe traditën e shenjtë të Shtëpisë që i takon Zotit dhe Mikut. Hedhim një hap të rëndësishëm drejt zbatimit të këtij projekti, i cili pritet të realizohet brenda 36 muajve.

Me këtë marrëveshje, hapet rruga për nisjen e investimit, tërësisht me fonde nga donacionet e filantropia, të një vepre me rëndësi të veçantë për turizmin historik e kulturor, që do të jetë një diamant i kujtesës kolektive dhe i reflektimit shpirtëror në zemrën e Tiranës, krenari e frymëzim për brezat dhe njerëzimin, rrëfyer për vizitorët e ndërkombëtarizuar si një trashëgimi natyrale e një brandi unikal shqiptar.

Foto album, kliko këtu!