Ministry of Tourism, Culture and Sport

Ministri Blendi Gonxhja zhvilloi, së bashku me kryebashkiaken Emiriana Sako, përfaqësues të Bashkisë Durrës dhe ekipet e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit (AKB) zhvilluan takimin mbi situatën e sivjetshme të plazheve dhe përgatitjeve për planin e menaxhimit të vijës bregdetare të Qarkut Durrës për sezonin turistik 2026.

Gjatë diskutimeve u analizuan specifikat e disa prej zonave më të rëndësishme bregdetare të qarkut, përfshirë Katundin e Ri, Ishmin, Hamallajn dhe Gjirin e Lalzit, të cilat po përfshihen në një protokoll të ri bashkëpunimi ndërmjet strukturave qendrore dhe atyre vendore. Ky proces synon forcimin e koordinimit institucional për një menaxhim më të qëndrueshëm dhe të integruar të hapësirës bregdetare, duke ruajtur ekuilibrin mes zhvillimit turistik dhe mbrojtjes së mjedisit.

Në qendër të diskutimeve ishin gjithashtu edhe prioritetet për rritjen e aksesit të qytetarëve në plazhet publike, duke promovuar një ofertë më të gjerë të hapësirave ekonomike, të përballueshme dhe me standarde të përmirësuara shërbimi. U theksua rëndësia e pastrimit të përhershëm, kujdesit infrastrukturor dhe mirëmbajtjes vjetore të zonave bregdetare, si pjesë e një strategjie afatgjatë për një bregdet të pastër, të sigurt dhe tërheqës për turistët vendas e të huaj.

Ministri Gonxhja dhe kryebashkiakja Sako nënvizuan se puna për përgatitjen e sezonit turistik duhet të nisë që tani, në mënyrë që viti 2026 të gjejë Durrësin dhe gjithë vijën bregdetare të qarkut të gatshme për të ofruar një eksperiencë turistike më të organizuar, gjithëpërfshirëse dhe miqësore me mjedisin.