Ministry of Tourism, Culture and Sport

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, zhvilloi një takim në Abu Dhabi me z. Saif Rashid Al Noaimi, CEO i kompanisë ETHARA, e cila menaxhon pistën ikonike të Formula 1 – Yas Marina Circuit, një prej destinacioneve më prestigjioze sportive dhe turistike në botë. E ndërtuar në vitin 2009, Yas Marina Circuit është shndërruar në një model të suksesshëm të ndërthurjes mes sportit elitar, turizmit luksoz dhe zhvillimit ekonomik, duke u kthyer në një pikë referimi për industrinë globale të sporteve motorike.

Në këtë kuadër, u diskutua mbi shkëmbimin e eksperiencave dhe bashkëpunimin teknik për projektin strategjik “Auto Moto Park Albania”, një nismë që po merr formë në Elbasan dhe që synon të pozicionojë Shqipërinë në hartën ndërkombëtare të sporteve motorike. Ashtu si Yas Marina Circuit për Abu Dhabin, edhe Auto Moto Park Albania pritet të shndërrohet në një qendër të rëndësishme rajonale për sportet motorike, turizmin dhe industrinë e eventeve, duke u bërë një gjenerator i ri zhvillimi ekonomik dhe promovimi turistik për vendin dhe rajonin. Ky bashkëpunim përfaqëson një hap domethënës drejt ndërtimit të një platforme moderne, që do të nxisë inovacionin, do të fuqizojë sportin shqiptar dhe do të vendosë Shqipërinë në një dimension të ri të zhvillimit sportiv e ekonomik.