Ministry of Tourism, Culture and Sport

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, zhvilloi një takim të frytshëm me Shaikha Nasser Al Nowais, një nga figurat më të njohura në fushën e turizmit dhe mikpritjes globale, e cila njihet për angazhimin e saj në zhvillimin e qëndrueshëm, inovacionin dhe rritjen gjithëpërfshirëse ekonomike. Si Kryetare e Grupit të Punës për Turizmin në Dhomën e Tregtisë të Abu Dhabit, Al Nowais ka luajtur një rol kyç në forcimin e bashkëpunimeve strategjike dhe në promovimin e praktikave të qëndrueshme në sektorin e turizmit, si në rajon ashtu edhe në nivel global. Së fundmi, ajo është përzgjedhur për të marrë detyrën e Sekretares së Përgjithshme të Turizmit në UN Tourism, duke filluar nga janari 2026, një emërim që reflekton vizionin e saj për një turizëm më të qëndrueshëm, inovativ dhe gjithëpërfshirës. Takimi mes Ministrit Gonxhja dhe Al Nowais u fokusua në mundësitë për të riformësuar turizmin global përmes bashkëpunimit, qëndrueshmërisë dhe inovacionit, si dhe në krijimin e rrugëve të reja të partneritetit midis Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në fushën e turizmit dhe investimeve.