Ministry of Tourism, Culture and Sport

Për herë të parë në Shqipëri, fëmijët që nuk shikojnë patën mundësinë të përjetojnë nga afër magjinë e teatrit në një përvojë të ndërtuar posaçërisht për ta. Përmes një koncepti gjithëpërfshirës, ata prekën skenografinë dhe kukullat, takuan aktorët dhe morën informacion të detajuar për shfaqjen, përpara se të ndiqnin “Zemërimin e Shkronjave”, të përshkruar me zë në mënyrë të posaçme për fëmijët me verbëri.

Kjo vepër, që nuk ishte vënë në skenë prej 40 vitesh, u rikthye në Teatrin Kombëtar të Kukullave falë programit EU4Culture, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të implementuar nga UNOPS. Ky aktivitet është pjesë e përpjekjeve për të ndërtuar një mjedis kulturor gjithëpërfshirës, ku çdo fëmijë, pavarësisht aftësive fizike apo ndjesore, mund të përjetojë artin dhe teatrin në mënyrë të plotë. Përmes kësaj nisme, fëmijët u ndjenë pjesë aktive e magjisë skenike, duke kuptuar se arti i përket të gjithëve dhe se kultura fiton më shumë vlerë kur përfshin të gjithë zërat dhe përvojat.

Ky moment shënon një hap domethënës drejt aksesueshmërisë kulturore në Shqipëri, duke vendosur një model frymëzues për projektet e ardhshme që synojnë të sjellin artin më pranë çdo fëmije.