Ministry of Tourism, Culture and Sport

Të nderuar qytetarë, sportdashës, djem e vajza të futbollit shqiptar, trajnerë, klube, federata, media dhe partnerë institucionalë,

Sot nuk flasim thjesht për një sport. Sot flasim për një pasion që na bashkon, për një identitet që na përfaqëson dhe për një energji që e bën Shqipërinë më të fortë: FUTBOLLIN.

Futbolli është zemra e mijëra familjeve, është ëndrra e fëmijëve tanë, është emocion dhe krenari. Dhe pikërisht për këtë arsye, për ne futbolli nuk është një çështje e momentit — futbolli është prioritet kombëtar.

Sepse një vend që investon te sporti, investon te rinia, te shëndeti, te edukimi, te komuniteti dhe te e ardhmja.

Në këto vite Qeveria Shqiptare dhe Ministria kanë zgjedhur të mos bëjnë premtime boshe. Kanë zgjedhur të bëjnë punë konkrete, me rezultate të dukshme.

Së pari: mbështetje reale, konkrete dhe e matshme për futbollin.

Vetëm për vitin 2025, Qeveria Shqiptare ka akorduar 3 milionë euro për Federatën Shqiptare të Futbollit, duke e vendosur futbollin në qendër të financimit publik për sportin.

Por mbështetja jonë nuk është vetëm buxhet vjetor — mbështetja jonë është angazhim shtetëror për ngjarjet që e ngrejnë Shqipërinë në nivel europian.

Për Kampionatin Evropian U-17 për meshkuj, u krijua grupi ndërinstitucional me Urdhër të Kryeministrit dhe Qeveria Shqiptare akordoi fondin prej 100 milionë lekësh, për ta organizuar këtë kampionat në standardet e UEFA-s.

Dhe sot, me të njëjtin vizion dhe të njëjtën vendosmëri, po përgatitemi për hapin tjetër të madh: për Kampionatin Evropian U-21 në vitin 2027, për të cilin Qeveria Shqiptare ka akorduar 200 milionë lekë për organizimin e tij.

Këto nuk janë shifra në letër. Këto janë vendime politike, janë besim te futbolli shqiptar, janë investim në prestigjin dhe imazhin europian të Shqipërisë.

Të dashur miq,

Ne e dimë se futbolli modern kërkon më shumë se fjalë: kërkon kushte. Ndaj kemi punuar paralelisht për infrastrukturën, sepse stadiumet, fushat dhe ambientet sportive janë baza e çdo suksesi.

Ka nisur procesi për transformimin e katër stadiumeve kombëtare me parneritet Publik -Privat:
“Selman Stermasi”, “Niko Dovana”, “Skënderbeu” dhe “Flamurtari” — stadiume të standardeve europiane, stadiume që nuk janë luks, por domosdoshmëri për sportin modern dhe për qytetet tona.

Por ne nuk po mendojme vetem për infrastrukturën, ne po ndërtojmë mundësi, sepse e ardhmja e futbollit shqiptar ndërtohet me fëmijët dhe të rinjtë, me akademitë, me cilësinë e stërvitjes, me disiplinën, pasionin dhe me edukimin sportiv.

Prandaj ne kemi hapur rrugën për një kapitull të ri: bashkëpunime serioze ndërkombëtare dhe modele të reja zhvillimi të talenteve.

Në këtë kuadër, dua të theksoj se Ministria ka ndërmarrë hapa konkretë për projektet e “Manchester City Akademy” dhe “Inter Academy Albania”, sepse ne besojmë se akademitë me standarde ndërkombëtare dhe me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare , do të rrisin cilësinë e formimit të futbollistëve të rinj shqiptarë dhe do të hapin dyer të reja për ta, brenda dhe jashtë vendit.

Të nderuar miq,

Ambicia jonë është e qartë:
Në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit ta bëjmë futbollin shqiptar më të fortë, më cilësor, më të organizuar dhe më europian.
Do të vazhdojmë me investime, infrastrukturë, me organizime ndërkombëtare, dhe me projekte që sjellin standarde të reja.

Ju faleminderit!