Ministry of Tourism, Culture and Sport

Këshilli i Ministrave miratoi dje aktin e përditësuar për Parkun Arkeologjik të Apolonisë, duke e deklaruar “Pasuri Kulturore e Paluajtshme” në përputhje me kërkesat e ligjit nr. 27/2018 dhe duke miratuar planin e ri për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tij.  Ky akt, shënon një përmirësim të dukshëm në drejtim të mbrojtes së kufijve të parkut, duke pasqyruar koordinatat sipas standardeve shtetërore të përcaktuara nga ASIG.

Plani i ri përcakton më qartë kriteret, procedurat dhe përgjegjësitë institucionale për ruajtjen, konservimin, restaurimin dhe administrimin e parkut, duke harmonizuar mbrojtjen e trashëgimisë kulturore me zhvillimin e qëndrueshëm të territorit. Gjithashtu, ai organizon parkun sipas zonave me nivele të ndryshme mbrojtjeje, bazuar në potencialin arkeologjik dhe rezultatet e kërkimeve të zhvilluara ndër vite.

Ky përditësim forcon instrumentet ligjore për mbrojtjen e një prej qendrave më të rëndësishme të qytetërimit antik në Shqipëri, duke garantuar që Apolonia të ruhet, të studiohet dhe të zhvillohet si një destinacion i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore dhe turizmit.

Foto album, kliko këtu!