Ministry of Tourism, Culture and Sport

Në qytetin muze të Beratit, në 40-vjetorin e themelimit të Muzeut Kombëtar Ikonografik “Onufri”, ku përkujtuam jo vetëm historinë e një institucioni të jashtëzakonshëm të trashëgimisë sonë kulturore, por edhe fuqinë e dialogut shpirtëror dhe artistik që arti ikonografik shqiptar ka ndërtuar ndër shekuj. I vendosur në ambientet e Kishës së Fjetjes së Shën Mërisë, ky muze përfaqëson një nga qendrat më të rëndësishme të artit pasbizantin në Shqipëri dhe më gjerë në rajon.

Me një rritje të qëndrueshme të numrit të vizitorëve, që tashmë ka kaluar shifrën 100,000 në vit, si dhe falë investimeve të vazhdueshme në restaurim, konservim dhe modernizim muzeor, Muzeu “Onufri” po konsolidohet çdo ditë e më shumë si një hapësirë e gjallë e kulturës, edukimit dhe reflektimit shpirtëror. Ai mbetet një pikë referimi për studiuesit, besimtarët dhe vizitorët e shumtë vendas e të huaj që kërkojnë të njohin nga afër traditën ikonografike shqiptare dhe mjeshtërinë e ikonografëve tanë.

Në këtë përvjetor të rëndësishëm, fondi i muzeut u pasurua me katër ikona të reja me vlera të veçanta artistike dhe historike: tre prej tyre nga vëllezërit Zografi (shek. XVIII) dhe një nga vëllezërit Çetiri (shek. XIX). Të restauruara me profesionalizëm nga specialistët e DRKT Berat, këto ikona përfaqësojnë një kontribut të rëndësishëm në plotësimin e fondit ikonografik, duke sjellë në muze autorë dhe shkolla që deri më tani nuk ishin të përfaqësuara në këtë koleksion. Shtimi i tyre forcon më tej misionin institucional për ruajtjen, studimin dhe promovimin e trashëgimisë sonë kombëtare.

40-vjetori i Muzeut Kombëtar Ikonografik “Onufri” është një moment reflektimi mbi rrugëtimin e deritanishëm, por edhe një angazhim i ripërtërirë për të ardhmen: për ta mbajtur këtë thesar të gjallë, të aksesueshëm dhe frymëzues për brezat që vijnë. Muzeu vijon të mbetet një urë lidhëse mes besimit, artit dhe identitetit kulturor shqiptar.

Foto album, kliko këtu!