Ministry of Tourism, Culture and Sport

Anisa Pollo mban pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Përgjithshme të Politikave të Artit, Kulturës dhe Rinisë në Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
E specializuar në menaxhim dhe zhvillim strategjik, ajo ka ndërtuar një profil profesional të konsoliduar në ndërthurjen mes ekonomisë, inovacionit dhe politikave publike në fushën e kulturës. Formimi i saj në menaxhim i ka shërbyer si bazë për ndërtimin e proceseve të qëndrueshme institucionale, vizionit afatgjatë dhe qasjes ndërdisiplinore në administratën publike.
Eksperienca e saj përfshin angazhime në sektorin privat dhe publik, me fokus në komunikim strategjik, zhvillim produktesh dhe menaxhim projektesh. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor ka drejtuar Njësinë e Promovimit dhe Ndërgjegjësimit, ku ka konceptuar produkte dhe fushata sensibilizuese me impakt kombëtar, si dhe iniciativa me karakter kulturor, ndër to lëvizjen “Retro Albania” dhe bashkëkrijimin e ‘Automotive Fair Albania’ si një model që ndërthur zhvillimin ekonomik me promovimin e kulturës vintage.
Në vitin 2018 ishte pjesë e ekipit kuratorial dhe koordinues të Pavijonit Shqiptar në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, duke kontribuar në menaxhimin administrativ, financiar dhe në marrëdhëniet me publikun për përfaqësimin ndërkombëtar të Shqipërisë në një nga ngjarjet më të rëndësishme të arkitekturës dhe kulturës bashkëkohore.

Prej vitit 2024 është pjesë e ministrisë përgjegjëse për kulturën, ku fillimisht ka ushtruar detyrën e këshilltares, më pas Drejtore e Përgjithshme për Artin, Kulturën dhe Trashëgiminë, dhe aktualisht Drejtore e Përgjithshme e Politikave të Artit, Kulturës dhe Rinisë. Në këtë funksion ka ndjekur hartimin e Strategjisë Kombëtare për Kulturën 2026–2030, përmirësimin dhe përafrimin e paketës ligjore në fushën e artit, kulturës dhe kinematografisë, zhvillimin e fushatave ndërgjegjësuese kundër trafikimit të paligjshëm të trashëgimisë kulturore, si dhe koordinimin e prioriteteve sektoriale në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Prej fundit të vitit 2025 ka marrë përgjegjësinë për hartimin dhe koordinimin e politikave kombëtare për rininë, duke mbikëqyrur procesin e Strategjisë Kombëtare të Rinisë, veprimtaritë përkatëse dhe zbatimin e programeve mbështetëse për të rinjtë, përfshirë iniciativat evropiane dhe mekanizmat kombëtarë të garancisë rinore, me fokus fuqizimin, punësimin dhe përfshirjen aktive të të rinjve në jetën shoqërore dhe kulturore.

Ka drejtuar dhe menaxhuar programe ndërkombëtare me impakt të gjerë, si “Javët Kulturore Ndërkombëtare”, dhe “Culturalb”, një platformë për promovimin ndërkombëtar të artistëve shqiptarë dhe mbështetjen e diasporës krijuese. Kontribuon gjithashtu në menaxhimin e programit evropian “Creative Europe” në nivel kombëtar.
Është iniciatore e bashkëpunimeve strategjike ndërinstitucionale, përfshirë marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Muzeut MAXXI në Romë dhe Galerisë Kombëtare të Arteve, si dhe është anëtare bordi në Universitetin e Arteve, Teatrin Kombëtar dhe Qendrën Kulturore për Fëmijë.
Profili i saj karakterizohet nga një qasje që e sheh kulturën dhe rininë jo vetëm si identitet dhe trashëgimi, por si motor zhvillimi, diplomacie kulturore dhe transformimi shoqëror.