Ministry of Tourism, Culture and Sport

SheAds –Më shumë Barazi dhe Përfaqësim për Gratë në Sport

Më shumë përfaqësim. Më shumë barazi në sport.

Ndryshimi i vërtetë drejt barazisë gjinore në sport kërkon më shumë se sa përfaqësim në fushën e lojës. Ai kërkon edukim, ndërgjegjësim dhe një mënyrë të re të të komunikuarit për gratë dhe vajzat në sport.

Përmes projektit SheAds, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit angazhohet për të rritur dukshmërinë e grave dhe vajzave në sport, për të promovuar modele pozitive dhe për të nxitur një komunikim sportiv më të barabartë, gjithëpërfshirës dhe pa stereotipe gjinore.

Sepse sporti nuk ka gjini. Talenti nuk ka gjini. Mundësitë duhet të jenë të barabarta.

Në kuadër të projektit SheAds, po ndërtohet një qasje e integruar që kombinon komunikimin publik, edukimin dhe promovimin e modeleve pozitive të grave dhe vajzave në sport. Përmes historive personale, videove, podkasteve, intervistave dhe përmbajtjeve digjitale, synojmë të sjellim më pranë publikut përvojat, arritjet dhe sfidat e grave që kontribuojnë në sportin shqiptar.

Një pjesë e rëndësishme e projektit lidhet gjithashtu me krijimin e materialeve ndërgjegjësuese dhe edukative, si dhe me zhvillimin e burimeve praktike për profesionistët e medias, komunikimit dhe institucioneve sportive. Këto mjete synojnë të nxisin një mënyrë më të balancuar, gjithëpërfshirëse dhe pa stereotipe të komunikimit për gratë në sport.

Përmes fushatave të komunikimit, aktiviteteve publike dhe promovimit të praktikave të mira, SheAds synon të ndikojë jo vetëm në rritjen e dukshmërisë së grave dhe vajzave në sport, por edhe në mënyrën se si ato perceptohen, përfaqësohen dhe mbështeten.

Qëllimi është të kontribuojmë në krijimin e një kulture sportive ku arritjet, talenti dhe kontributi vlerësohen në mënyrë të barabartë dhe ku gratë dhe vajzat kanë më shumë hapësirë për të qenë të pranishme, të dëgjohen dhe të frymëzojnë.

Çfarë është SheAds?

SheAds është një projekt për ngritjen e kapaciteteve, i udhëhequr nga Universiteti i Sporteve të Tiranës, që synon promovimin e barazisë gjinore në sport përmes rritjes së ndërgjegjësimit dhe përmirësimit të mënyrës se si gratë sportiste, trajneret dhe profesionistet e sportit përfaqësohen në media dhe në komunikimin publik.

Duke nisur nga konteksti shqiptar, projekti synon të krijojë njohuri, mjete dhe modele që mund të përdoren dhe përshtaten edhe nga institucione dhe organizata të tjera në vende të ndryshme të Europës.

Në Shqipëri, në kuadër të SheAds, po zbatohet fushata kombëtare për barazinë dhe pëfaqësimin e grave në sport, e fokusuar në rritjen e dukshmërisë së grave dhe vajzave, promovimin e historive të tyre dhe sfidimin e stereotipeve që vazhdojnë të ndikojnë mënyrën se si ato shihen dhe përfaqësohen në sport.

Objektivi i përgjithshëm i SheAds është të rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e barazisë gjinore në komunikimin sportiv dhe të kontribuojë në përmirësimin e praktikave të institucioneve sportive, medias, sponsorëve dhe aktorëve të tjerë të industrisë së sportit.

Përmes edukimit, komunikimit dhe shembujve konkretë, projekti synon të krijojë një mjedis ku gratë dhe vajzat të kenë më shumë hapësirë, më shumë zë dhe më shumë mundësi për t’u përfaqësuar dhe për të marrë pjesë në sport.

Gratë. Vajzat. Sporti.

Historitë që meritojnë të dëgjohen

Pas çdo rezultati sportiv ka një histori.

Ka vite stërvitjeje, përkushtim, sakrifica, sfida, fitore dhe momente kur duhet të vazhdosh edhe atëherë kur rruga nuk është e lehtë.

Fushata “Gratë. Vajzat. Sporti.” sjell në qendër pikërisht këto histori.

Përmes një serie përmbajtjesh audiovizive dhe digjitale, grave dhe vajzave në sport u jepet hapësira për të folur me zërin e tyre: për rrugëtimin, pasionin, vështirësitë, arritjet dhe ëndrrat e tyre.

Këto histori nuk synojnë vetëm të prezantojnë kampione apo rezultate. Ato synojnë të krijojnë modele pozitive për vajzat dhe brezat e rinj, të sfidojnë perceptimet tradicionale dhe të tregojnë se vajzat kanë vend në çdo arenë.

Media dhe komunikimi publik kanë një rol të rëndësishëm në mënyrën se si shoqëria e percepton sportin dhe njerëzit që janë pjesë e tij.

Kur sportistet dhe trajneret marrin më pak hapësirë, kur vëmendja zhvendoset nga arritjet sportive drejt pamjes së jashtme, ose kur gratë përfaqësohen përmes stereotipeve, këto modele ndikojnë edhe në mënyrën se si vajzat e reja e shohin vendin e tyre në sport.

Një komunikim më i drejtë dhe gjithëpërfshirës ndihmon në krijimin e një kulture sportive ku talenti, puna dhe rezultatet janë në qendër, pavarësisht gjinisë.

Prandaj barazia gjinore në komunikimin sportiv nuk është vetëm çështje përfaqësimi. Ajo kontribuon në krijimin e institucioneve më të forta, komuniteteve më gjithëpërfshirëse dhe një kulture sportive më të hapur për të gjithë.

Sportiste. Trajnere. Kampione. Profesioniste. Vajza që sapo kanë nisur rrugëtimin e tyre.

Çdo histori është ndryshe, por mesazhi është i njëjtë:

Vajzat kanë vend në çdo arenë.

[Shiko videot më poshtë]

[Dëgjo podcastet më poshtë]

Women’s Portrayal in Sports Media – Gender Equality in Sport Communication

është një kurs online i zhvilluar në kuadër të projektit SheAds, që synon të ndihmojë profesionistët e medias, komunikimit, marketingut dhe sportit të identifikojnë stereotipet gjinore dhe të përdorin praktika më të drejta e gjithëpërfshirëse në përfaqësimin e grave në sport. Përmes shembujve praktikë dhe materialeve të dedikuara, kursi ofron njohuri të zbatueshme në punën e përditshme dhe mund të ndiqet online sipas ritmit të secilit. Regjistrohu dhe bëhu pjesë e një komunikimi sportiv më të barabartë dhe gjithëpërfshirës.https://sportacademy.com/product/women-portrayal-in-sports-media/

Ndryshimi fillon me mënyrën si i shohim dhe si i tregojmë historitë.

Kur vajzat shohin gra që garojnë, drejtojnë, fitojnë dhe dëgjohen, ato shohin edhe më shumë mundësi për veten.

Kur media dhe institucionet u japin të njëjtën vëmendje arritjeve të grave dhe burrave në sport, ndryshojnë jo vetëm historitë që tregojmë, por edhe kulturën sportive që ndërtojmë.

Më shumë dukshmëri.
Më shumë mundësi.
Më shumë barazi.

Gratë. Vajzat. Sporti.

Mbështetur nga Bashkimi Europian nëpërmjet projektit SheAds.

Përmbajtja e materialeve të projektit është përgjegjësi e autorëve të tyre dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Europian ose të Agjencisë Ekzekutive Evropiane të Arsimit dhe Kulturës (EACEA). As Bashkimi Europian dhe as EACEA nuk mund të mbajnë përgjegjësi për to.