Ministry of Tourism, Culture and Sport

Manastiri i Kryeengjëjve në Derviçan, një nga qendrat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të Dropullit, hyn në fazë restaurimi përmes ndërhyrjeve të planifikuara që përfshijnë edhe konakët lindorë e perëndimorë të kompleksit. Kjo nismë vjen në një moment të rëndësishëm për monumentin, pasi Kisha e Manastirit të Kryeengjëjve është shpallur së fundmi Pasuri Kulturore me statusin “Monument Kulture”, Kategoria I, së bashku me zonën e saj mbrojtëse, duke njohur dhe forcuar vlerat e saj të jashtëzakonshme historike, arkitekturore dhe shpirtërore.

Pas dekadash degradimi dhe mungese mirëmbajtjeje, projekti synon të shpëtojë dhe rikthejë në funksion strukturat historike të konakëve, duke ruajtur origjinalitetin e tyre dhe karakterin tradicional të kompleksit. Ndërhyrjet, në 2 faza, do të përfshijnë restaurimin dhe konsolidimin e muraturave prej guri, rindërtimin e çative tradicionale me rrasa guri, restaurimin e elementeve prej druri, dyerve, dritareve dhe shkallëve, si dhe rikthimin e hapësirave funksionale bazuar në dokumentacionin historik dhe gjurmët ekzistuese në terren.

Ky projekt nuk synon vetëm restaurimin e një objekti, por edhe rijetëzimin e një kompleksi me rëndësi të veçantë për historinë, kulturën dhe besimin fetar në jug të Shqipërisë. Përmes ruajtjes së vlerave dhe rikthimit të funksioneve të tij historike, Manastiri i Kryeengjëjve do të vijojë të shërbejë si një pikë referimi për komunitetin lokal, vizitorët dhe turizmin kulturor në zonën e Dropullit.