Ministry of Tourism, Culture and Sport

Të dashur të rinj,

E dashur Sara dhe ekipi energjik i AKR,

I nderuar Z. Kryeministër,

Është një emocion i veçantë të gjendem mes jush sot. Jo thjesht si Ministër përgjegjës për rininë, në Ministrinë e re të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, por si dikush që e njeh mirë peshën e ëndrrave të moshës suaj.

Dekada më parë, së bashku me bashkëmoshatarët, u ngritëm kundër një sistemi që na mbante sytë dhe mendjen e mbyllur. Ëndërronim e brohorisnim: E duam Shqipërinë “si gjithë Evropa”, e sot jemi më pranë se kurrë realizimit të kësaj dëshire, për të qenë pjesë e familjes evropiane.

Ju jeni vala e parë e këtij integrimi, por mbi të gjitha, ju jeni arsyeja pse ky proces ka kuptim.

Shpesh dëgjojmë se Evropa është “atje jashtë”, diku ku duhet të ikësh për ta gjetur. Por e vërteta është se Evropa që ne duam nuk është një destinacion gjeografik, është një standard jetese që po e ndërtojmë këtu, bashkë.

Për vite me radhë, administrata publike është parë si një “kafaz burokratik”, një mjedis statik, i ngadaltë dhe shpeshherë i shkëputur nga aspiratat e qytetarëve. Por sot, ky imazh i përket së shkuarës.

Ju jeni dëshmia e këtij transformimi rrënjësor.

Sot shteti nuk flet nga lart, por ecën krah për krah me të rinjtë dhe ju fton të bashkoheni e të kontribuoni për vendin.

Prania juaj sot thyen barrierat e kohës, sfidon status-quo-në dhe sheh meritokracinë si të vetmen matëse të suksesit.

Ju nuk jeni thjesht punonjës të rinj, por arkitektët e një administrate moderne, transparente dhe në shërbim të plotë të realitetit që na rrethon.

Jeni ata që do ta bëni shtetin të vrapojë me shpejtësinë e ambicies suaj.

Përmes Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, nuk po hyjnë thjesht emra të rinj në listë-pagesa, po hyn një mendësi e re:

– 600 praktikantë përfituan nga ky program në vitin 2025 duke zgjedhur të japin kontributin e tyre real.

– Për herë të parë në vitin 2025, puna juaj u çmua financiarisht; si certifikata e parë e dinjitetit, një mesazh i qartë se dija juaj ka vlerë dhe shteti e respekton atë që në hapin e parë.

– Dhe mbi të gjitha, janë 250 kontrata të para pune që vërtetojnë se në këtë program, rruga nga bankat e shkollës te mundësitë e punësimit konkret kalojnë vetëm përmes meritës.

Shqipëria e re ka nevojë për mendjen, zemrën dhe energjinë tuaj pa komplekse për ta kthyer Shqipërinë 2030 në stacionin më të rëndësishëm të rajonit në të gjitha dimensionet: ekonomike, turistike, kulturore, sportive, në një destinacion të ambicies suaj!

Ju uroj suksese në çdo hap dhe mos harroni: rruga juaj profesionale sapo ka nisur.

Dera jonë nuk ka dryna, ajo do të jetë përherë e hapur për guximin tuaj, për idetë që na sfidojnë dhe për dëshirën tuaj për ta parë vendin tonë gjithmonë e më lart.

Faleminderit!