Ministry of Tourism, Culture and Sport

Të nderuar pedagogë,

të dashur studentë, miq dhe kolegë,

Është e vështirë të flas sot këtu vetëm me petkun e Ministrit. Në këto korridore, ku muret mbartin jehonën e thirrjeve për liri dhe ku çdo sallë mban aromën e kavaletave, telajove dhe partiturave, unë ndihem mbi të gjitha ish-student i Institutit të Lartë të Arteve, sot Universiteti i Arteve.

Të kthehesh në këtë godinë, për mua nuk do të jetë kurrë një vizitë e thjeshtë zyrtare. Ndjesia e kapërcimit të këtij pragu është një kthim në shtëpi, një kthim në zhurmën e këtyre sallave që dikur i shkelnim me këpucë të vjetra, por me ëndrra që nuk i nxinte ky vend.

Sot jemi mbledhur për të festuar 60-vjetorin e Universitetit të Arteve, por në fakt, ne po festojmë gjashtë dekada të shpirtit të lirë, të rebelimit estetik dhe të guximit.

E di mirë se çfarë do të thotë të jesh student në këtë Universitet. E mbaj mend mirë atë kohë kur arti ishte e vetmja dritare nga ku mund të shihnim botën. Ne, artistët e rinj të asaj kohe, nuk mund të pajtoheshim me një botë pa ngjyra dhe me një mendim të skicuar me vizore.

Ishte kjo vatër që na dha mjetet për të kuptuar se liria nuk është një dhuratë, por një përballje e pandalur dhe një zgjedhje që duhet bërë çdo ditë.

Nuk ishte rastësi që lëvizja studentore dhe zëri i parë i protestës për ndryshimin e regjimit nisi pikërisht këtu. Ishte fryma e këtij institucioni, e ushqyer nga mjeshtërit e mëdhenj, që na dha kurajën të kërkonim të pamundurën.

Studentët rriteshim me figurën e papërsëritshme të Kadri Roshit dhe integritetin skenik të Drita Pelinkut e Drita Agollit, dëshmitarë të shkollës së lartë të interpretimit nga Timo Flloko e Birçe Hasko.

Frymëzoheshin nga vizioni modern i atyre që e deshën artin deri në fund, si Gjergj Xhuvani e Artan Minarolli, urtësia e pafundme e Petro Zhejit dhe nxitja drejt rebelimit estetik nga peneli i Ali Osekut.

Këtu, arti i lëvizjes dhe i skenës mori formë përmes disiplinës dhe gjeniut krijues të Agron Aliajt e Panajot Kanaçit, ndërsa harmonia gjeti shprehjen më të lartë te violina e Ibrahim Madhit. Këta personalitete nuk kanë dhënë thjesht leksione mbi teatrin, artet pamore apo koreografinë; ata kanë treguar se si artisti bëhet ndërgjegjja e një kombi.

Sot, në pozicionin e Ministrit, përgjegjësia ime ndaj jush është e dyfishtë. Universiteti i Arteve është bërthama gjeneruese e kulturës sonë ndaj dhe vizioni ynë është i qartë drejt shkrirjes së kufijve institucionalë.

Së bashku me Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Teatrin Kombëtar, Teatrin Eksperimental, Galerinë Kombëtare të Arteve, Qendrën Kombëtare të Kinematografisë dhe Qendrën Kulturore të Fëmijëve, ne po ndërtojmë një hapësirë të hapur veprimi ku institucionet kthehen në laboratorë të rritjes profesionale të të rinjve të talentuar. Përmes programeve të dedikuara të praktikave dhe përfshirjes direkte në produksionet skenike e filmike, ne do të garantojmë që rrugëtimi akademik të shoqërohet me përvojën e prapaskenës, orkestrës dhe setit të xhirimit.

Ky bashkëpunim strategjik synon që mobiliteti, shkëmbimi i ideve dhe mbështetja për projektet e para të mos jenë më raste sporadike, por një sistem i mirëfilltë që e transformon talentin në motorin kryesor të ekonomisë krijuese dhe të ardhmes së kulturës sonë kombëtare. Synimi ynë është që çdo talent të evidentohet që në hapat e parë, të kultivohet përmes mentorimit direkt në institucionet tona dhe të kontribuojë menjëherë për skenën, duke përfshirë këtu me vëmendje të veçantë edhe ata që zgjedhin të jenë pjesë e skenës së pavarur si artistë.

Infrastrukturat tona të reja dhe ato që po përmirësojmë çdo ditë, mbeten thjesht mure të heshtura nëse nuk mbushen me energjinë dhe vizionin e të rinjve të talentuar. Vizioni ynë si pjesë e Strategjisë Kombëtare të Kulturës është që çdo skenë e re, çdo studio dhe çdo galeri të jetë, mbi të gjitha, një derë e hapur për ju.

Kjo derë e hapur është garancia jonë se e ardhmja e kulturës shqiptare do të shkruhet nga ju, duke i kthyer këto investime në platforma lirie ku krijimtaria mund të shpaloset dhe të na përfaqësojë me dinjitet edhe përtej kufijve. Ashtu si shumë artistë virtuozë që kanë dalë nga kjo shkollë dhe sot shkëlqejnë në skenat më prestigjioze të botës, ne duam që ky universitet dhe institucionet tona të jenë trampolina që ju projekton drejt suksesit ndërkombëtar, duke e bërë Shqipërinë një pikëtakimi të rëndësishëm të artit dhe kulturës bashkëkohore.

Si përmbyllje, më lejoni sërish ta them këtë jo vetëm si Ministër, por si një prej jush, si dikush që nuk e ka harruar kurrë emocionin e parë në këto salla, ku ëndrrat tona merrnin formën e parë. Ky 60-vjetor nuk është thjesht një jubile kalendarik, por një moment i thellë reflektimi për borxhin që kemi ndaj këtij institucioni dhe, mbi të gjitha, ndaj brezave që do të vijnë. Ky universitet më ka mësuar se arti është gjuha që nuk pranon kompromise me mesataren dhe se çdo sukses nis me guximin për të kërkuar të jashtëzakonshmen.

Studentëve tanë u bëj thirrje: Ruajeni atë zjarrin e brendshëm që ju bën të jeni ndryshe. Mos harroni se liria që gëzoni sot lindi pikërisht këtu, nga guximi i studentëve që në këto auditorë zgjodhën të thyenin heshtjen për të rrëzuar një regjim. Atëherë ne luftonim për të drejtën e fjalës; sot, beteja juaj është me indiferencën dhe mediokritetin. Krijoni shtigje të reja, sepse ju jeni ndërgjegjja jonë kritike dhe forca që na kujton se liria, ashtu si arti, duhet fituar çdo ditë.

Sot, kjo liri ushqehet çdo ditë nga një tjetër mision fisnik: ai i pedagogëve. Mirënjohja ime sot shkon për ju, të dashur kolegë e mentorë që keni meritën e jashtëzakonshme që, pavarësisht sfidave të kohës, keni mbajtur ndezur dritën e shpresës dhe keni garantuar vazhdimësinë e kësaj shkolle që mbetet tempulli ynë më i shenjtë. Falë jush, tradita e mjeshtërve tanë të mëdhenj vazhdon të jetojë në duart e të rinjve.

Ju faleminderit!