Ministry of Tourism, Culture and Sport

I nderuar Z. Kryeministër.
I nderuar Ambasador i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri.
Të dashur miq e të ftuar.

Sot jemi në një ditë historike. Dhe pikërisht në këtë qytet historik, në këtë palimpsest strategjik qytetërimesh, në portën e madhe mes tokës shqiptare dhe detit, mesdhe Lindjes dhe Perëndimit.
Durrësi është zemra e Ilirisë antike, dëshmia me e madhe e të shkuarës së lavdishme, por edhe e një të ardhmeje që mëson nga e kaluara. Një qytet ku e shkuara nuk është penguese, përkundrazi, një motor zhvillimi kulturor dhe ekonomik që nga viti në vit fton miliona vizitorë për ta zbuluar.

Muzeu arkeologjik është shembulli më i mirë i kësaj simbioze, por edhe i një transformimi epokal e të pa imagjinueshëm. Historia e këtij muzeu është si historia e Shqipërisë, ku godinës kanë dashur t’i rrëmbejnë edhe titullin e pronësisë, të cilën me mundim ja garantuam në vitin 2024. Një vend ku kishte më shumë ngrehina informale në oborr se sa pavione muzeale brenda.

Një muze nuk është vetëm një koleksion objektesh. Është një kontratë publike. Një marrëveshje e heshtur midis të shkuarës dhe të tashmes, e në këtë kuptim, kontributi i arkeologëve shqiptarë në këtë rrugëtim ka qenë themelor, dhe ndër ta spikat figura e Vangjel Toçit, i cili me këmbëngulje dhe vizion i dha Durrësit një lexim të ri shkencor dhe një vetëdije më të qartë për vlerat e tij. Puna e tij dhe e kolegëve nuk ishte thjesht kërkim në terren, por ndërtim i një kulture kujtese që i reziston kohës.

Nga hapja fillestare në mars të vitit 1951, ku objektet e para u vendosën në një vilë dy katshe, tek migrimi i vazhdueshëm i vendodhjes së godinës gjatë viteve e deri në vitin 1999, kur objektet e ekspozitës dhe fondeve arkeologjike u transferuan pranë kësaj godine. Pas ndërhyjeve të vitit (2010), trashëguam problematika që lidheshin me aksesueshmërinë dhe përdorimin, ashensorë jo funksionalë, ekspozita që zhvillohej në katin përdhes ndërsa dy katet e sipërme si depozita, probleme si mungesa e stabilitetit; sigurisë dhe informacionit lidhur me artefaktet e ekspozuara.
Sot, kur bota flet për luftë e për armë ne po i kthejmë Durrësit dhe publikut një muze të ri, të restauruar plotësisht, thuajse të lindur prej fillimit, ku mbi 3200 artefakte rrëfejnë në mënyrë tejet elegante të shkuarën në pavionët e rikonceptuar, e deri tek elementët e teknologjisë që mundësojnë udhëtimin në kohë, brenda qytetit të gladiatorëve e të Mbretëreshës Teutë. Nuk po inaugurojmë thjesht një ndërtesë; ne po riinterpretojmë një hapësirë për të treguar historinë, qytetin, rajonin, Shqipërinë; një rrugëtim aventuror në mjegullën e shekujve. Sepse Durrësi nuk është vetëm një hapësirë e jona urbane, por është një arkiv i hapur Mesdhetar, me rëndësi universale ku çdo shtresë toke është një epokë, dhe çdo objekt antik është një dëshmi unikale.

Muzeu i ri Arkeologjik i Durrësit nuk do të jetë një godinë e heshtur, pasive, por një institucion ftues, aktiv. Një muze që ndihmon shoqërinë të kuptojë veten në të tashmen dhe nuk flet vetëm për të kaluarën e hershme. Një laborator rrëfyes përmes aktivitetesh edukative të të rinjve dhe fëmijëve, jo si një depo e së shkuarës, por si një instrument inovativ e krijues për ta kuptuar atë.
Pikërisht për këtë arsye kemi ristrukturuar dhe shtuar numrin e punonjësve në Qendrën Muzeore Durrës me 17 vetë duke e çuar në 33 numrin e personelit, ku profesione të rralla, por shumë të domosdoshme si restauratorë, arkeologë, ciceronë do i bashkohen nevojave të reja të zbulimit dhe mikpritjes përmes promovimit të trashëgimisë kulturore duke gjeneruar mundësi punësimi dhe programe bashkëpunimi edhe me universitetet, akademikët, studiuesit dhe komunitetin.

Përsa i përket linjës së re muzeale, koleksioni identifikon artikujt që nxjerrin në pah temat kryesore të narrativës së muzeut dhe periudhat kryesore historike si dhe parashikon të pasurojë e përditësojë ekspozimin me gjetje, ku spikat mbi të gjitha Bukuroshja e Durrësit, kthyer në shtëpi!

E tani dua të falenderoj në mënyrë publike ekipin e madh të ekspertëve e profesionistëve të cilët kanë qëmtuar me kujdes e me vizion të njëjtë largpamës investimin në sitet e trashëgimisë.

Padyshim një falenderim i përzemërt dhe tepër mirënjohës për programin e Bashkimit Europian “EU4Culture” që prej vitesh qëndroi përkrah nesh dhe Shqipërisë si një partner besnik e stoik në restaurimin e objekteve të trashëgimisë kulturore, sidomos pas pasojave nga tërmetet e vitit 2019, sepse Shqipëria është në pragun e anëtarësimit zyrtar në Union por edhe sepse jemi në gjenezën dhe zemrën e Europës, si një prej dëshmive më të hershme të qytetërimit europian.

Dua të shpreh mirënjohjen për të gjitha hallkat pjesëmarrëse të institucioneve tona në projektet e Eu4Culture. Hartuesit e projekteve, bashkëpunëtorët dhe çdokënd që ka dhënë kontribut në këtë proces tejet të vështirë.
E për Muzeun e ri Arkeologjik që inagurojmë sot dua të falenderoj me rradhë:
Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Institutin Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore, Qendrën Muzeore Durrës, autorët: Iris Pojani, Lorenc Bejko, Belisa Muka, Luan Përzhita; Kuratoren Yllka Gjikopuli.
Ata që qëndruan në kantier: Sabina Veseli, Eda Andoni, Elvana Metalla, Gjergji Vinjahu.
Në veçanti Lejla Hadziç që tashmë prej vitesh është më shumë se kurrë, shqiptare!
Rikonstruksioni që inaugurojmë sot nuk është thjesht restaurim i një ngrehine. Është një rifillim dhe ne do të vijojmë me një provë gjenerale që e kemi nisur prej kohësh me punonjësit tanë, por tashmë për 15 ditë Muzeu do të jetë i hapur për të mirëpritur pa pagesë të gjithë vizitorët e parë të etur, për të rindërtuar edhe njëherë hartën e lëvizjes dhe vizitave në këtë pasuri kulturore.

Durrësi do të vijojë të jetë në qendrën e vëmendjes dhe vizionit të Shqipërisë 2030, nga TID Durrës e deri tek Plani i Konservimit dhe Gërmimeve Arkeologjike për ta rijetëzuar Amfiteatrin Romak, nga zhvillimi i marinës së re turistike e deri tek Porti i ri Ndërkombëtar i Porto Romanos, nga Hekurudha e re që afron Aeroportin e Rinasit dhe Kryeqytetin, drejt një ansambli metropolitan detar që vlen e flet përtej tymnajave të vazhdueshme mbi punët e mira e të mëdha.

Durrësi është etiketa e zhvillimit, e rikthimit të besimit dhe e mikpritjes së botës që vjen për të zbuluar këtë vend ku natyra nuk është kursyer në begatinë e saj, ku çdo rrugicë ka një histori për të rrëfyer. Ku takohen historia dhe turizmi, kulturat e idetë, si muze i gjallë i kujtesës por edhe i ndërgjegjes kombëtare që me sakrifica, krenari e dinjitet ndërton një realitet modern në Ballkan.

Ta gëzojë Durrësi, ta gëzojë Shqipëria dhe të gjithë vizitorët e miqtë këtë kryevepër publike!