Ministry of Tourism, Culture and Sport

Komiteti Kombëtar për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin miratoi Kuadrin Strategjik për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin, një hap i rëndësishëm drejt një modeli zhvillimi më të integruar, më funksional dhe më të balancuar për Shqipërinë. Ky kuadër vendos një vizion të përbashkët për zhvillimin e territorit, duke lidhur potencialet lokale, prioritetet kombëtare dhe nevojën për më shumë kohezion mes rajoneve. Kuadri Strategjik përfshin:

– Politikat e Zhvillimit Rajonal dhe Kohezionit përcaktojnë qasjen e re të zhvillimit: kalimin nga ndërhyrjet përmirësuese drejt një rritjeje transformuese, ku suksesi matet jo vetëm me investime, por me cilësinë e jetës, mirëqenien, besimin dhe mundësitë që krijohen për qytetarët.

– Planin Kombëtar për Zhvillimin Rajonal dhe Kohezionin që e përkthen këtë qasje në një platformë konkrete për organizimin funksional të territorit. Ai synon rajone me identitet, rol dhe profil të qartë zhvillimor, që bashkëveprojnë me njëri-tjetrin dhe krijojnë më shumë vlerë të shtuar për vendin.

– Elementët e Reformës në Sistemin Qeverisës të Zhvillimit Rajonal dhe Kohezionit që synon ta kthejë këtë vizion në mekanizma konkretë planifikimi, financimi, zbatimi dhe monitorimi, duke forcuar koordinimin institucional dhe orientimin drejt rezultateve të matshme në territor.

I harmonizuar me kërkesat e Kapitullit 22 të negociatave me Bashkimin Europian dhe në linjë me objektivat e Politikës së Kohezionit të BE-së, ky dokument i hap rrugën një etape të re zhvillimi për një Shqipëri më dinamike, më të jetueshme, më të zgjuar, më të bashkuar dhe gjithnjë e më pranë Bashkimit Europian.