Ministry of Tourism, Culture and Sport

Ekipi Kombëtar Shqiptar i Taekwondo-së ka shkruar historinë në Kampionatin Ballkanik 2026, të zhvilluar në Zenjan të Serbisë. Me një performancë të jashtëzakonshme, Kombëtarja Shqiptare e mbylli këtë aktivitet prestigjioz me një bilanc mbresëlënës prej 18 medaljesh, duke konfirmuar nivelin e lartë të sportistëve shqiptarë dhe punën e palodhur të trajnerëve e stafit teknik.

Në mesin e sukseseve më të spikatura, tre sportistë shqiptarë u kurorëzuan Kampionë Ballkani, duke fituar medaljet e arta dhe duke sjellë krenari për Shqipërinë. Një arritje e veçantë vjen nga Ernest Merdanaj, i cili shpallet Kampion Ballkani për herën e gjashtë radhazi, duke dëshmuar vazhdimësinë e tij në elitën e taekwondo-së ballkanike. Së bashku me të, medaljet e arta u fituan edhe nga Ibrahim Hidri dhe Prena Marku, të cilët zhvilluan paraqitje të shkëlqyera gjatë gjithë kampionatit.

Ky sukses përfaqëson një moment historik për sportin e taekwondo-së në Shqipëri dhe një dëshmi të zhvillimit të vazhdueshëm të këtij sporti në vend. Rezultatet e arritura në Ballkanik jo vetëm që konfirmojnë potencialin e sportistëve shqiptarë, por edhe forcojnë pozicionin e Shqipërisë si një nga ekipet më konkurruese në rajon.