Ministry of Tourism, Culture and Sport

Ministri Blendi Gonxhja në Konferencën mbarëkombëtare për edukimin pas shkollor, me Ministrat Kumbaro, Ibrahimaj dhe Demo për të diskutuar mbi rolin e aktiviteteve jashtëkurrikulare për zhvillimin gjithëpërfshirës të nxënësve, veçanërisht për rolin e formimit kulturor në zhvillimin e aftësive të reja tek fëmijët dhe të rinjtë. Investimi në art, kulturë dhe sport është një prioritet strategjik kombëtar, i cili lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e arsimit, zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe forcimin e identitetit kulturor.

Vetëm në periudhën janar–shkurt 2026, nëpërmjet programit “Edukimi përmes Kulturës”, nga institucionet e art-kulturës në vend, janë organizuar 78 evente me mbi 3500 pjesëmarrës, duke reflektuar rritjen e aksesit dhe përfshirjes së të rinjve në jetën artistike. Angazhimet pas shkollore të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit përmes Qendrës Kulturore për Fëmijë, me programe të strukturuara në kanto, piano, balet, violinë, aktrim, skenografi etj., si dhe përfshirja e talenteve të reja në Kori i Zërave të Bardhë të TKOBAP, përbëjnë një model konkret të zhvillimit të talenteve dhe të edukimit artistik cilësor.

Një vlerë e shtuar në këtë ekosistem është edhe Catalyst, i cili sjell kurse dhe trajnime të specializuara për fëmijë dhe jo vetëm, përfshirë edhe Hollywood acting classes, duke krijuar ura reale mes formimit artistik vendas dhe standardeve më të mira ndërkombëtare. Ndërkohë, shumë shpejt do të vihet në dispozicion një godinë e re për Qendrën Kulturore për Fëmijë, me më shumë hapësira, më shumë mundësi dhe standarde të përmirësuara për zhvillimin e aktiviteteve artistike dhe kulturore për fëmijët dhe të rinjtë në të gjithë vendin.

Foto album, kliko këtu!