Ministry of Tourism, Culture and Sport

Endrit Hoxha ka lindur në Tiranë në shkurt 1986. Ai ka mbi dy dekada eksperiencë në sektorin e sportit, me angazhime të konsoliduara si sportist elitar, trajner i licencuar ndërkombëtarisht, drejtues teknik, administrator sportiv dhe ekspert i politikave publike sportive.

Prej prillit 2022, Z. Hoxha ushtron detyrën e Zëvendësministrit të Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, ku drejton proceset e politikëbërjes kombëtare në fushën e sportit, zhvillimin e infrastrukturës sportive, diplomacinë sportive dhe integrimin euro-atlantik të sektorit.

Ai shërben gjithashtu si:

  • Zëvendës President i Federatës Evropiane të Taekwondo-së (ETU 2025-2029)
  • Anëtar i Këshillit të Lartë të Sportit të Shqipërisë

Më parë ka mbajtur funksione të rëndësishme drejtuese, mes të cilave:

  • President i Federatës Shqiptare të Taekwondo-së (2021–2022)
  • Anëtar i Bordit të Unionit Evropian të Taekwondo-së (2020-2024)
  • Anëtar i Bordit Drejtues të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (2021-2022)
  • Drejtues i Grupit të Punës Kombëtar për Giro d’Italia 2025 në Shqipëri
  • Drejtues i Grupit Ndërinstitucional për Parandalimin e Dhunës në Sport

Hoxha ka përfaqësuar Shqipërinë në aktivitete dhe forume ndërkombëtare , duke kontribuar në rritjen e bashkëpunimit strategjik me partnerë globalë dhe në forcimin e profilit diplomatik të sportit shqiptar.

Ai është i diplomuar në Universitetin e Sporteve të Tiranës në Shkencat e Lëvizjes (2012–2016), ka përfunduar Master Profesional në Edukim Fizik dhe Shëndetësor (2017–2019) dhe Master Shkencor në Aktivitet Fizik dhe Shëndet (2022–2024). Z. Hoxha mban gradën 5th Dan Kukkiwon nga Federata Botërore e Taekwondo-së dhe zotëron certifikime ndërkombëtare në administrim sportiv, traumatologji sportive dhe menaxhim strategjik të organizatave sportive.

Endrit Hoxha është i martuar me znj. Donatela Hoxha dhe kanë dy fëmijë.