Ministry of Tourism, Culture and Sport

Aderimi në Traktatin e Marrakeshit përfaqëson një angazhim të qartë dhe të palëkundur të vendit tonë për garantimin e të drejtave të njeriut, garantimit të të drejtave të autorit,  përfshirjes sociale dhe qasjes së barabartë në dije dhe kulturë.

Ky instrument ndërkombëtar, i miratuar nga WIPO, krijon mundësinë që personat e verbër, me shikim të dëmtuar ose me vështirësi në lexim, të përfitojnë nga teknologjitë dhe formatet alternative të informacionit, duke e bërë dijen të aksesueshme përtej kufinjve të Republikës së Shqipërisë, pa cënuar të drejtat e autorit, për të gjithë pa përjashtim.

Nëpërmjet zbatimit të Traktatit sigurohet lehtësim i procedurave ligjore për krijimin, riprodhimin dhe shpërndarjen e materialeve edukative, kulturore dhe profesionale në formate të përshtatura si audio, braille apo tekst i zmadhuar, duke ofruar një standard të ri ndërkombëtar për qasjen në materiale të mbrojtura nga e drejta e autorit.

Kjo nismë mbështet fuqizimin arsimor, integrimin social dhe zhvillimin profesional të personave me aftësi të kufizuara në lexim, duke kontribuar drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre dhe në zhvillimin më të gjerë shoqëror e ekonomik të vendit.

Me këtë hap, afirmojmë besimin se njohuria duhet të jetë universale, e pa pengesa dhe e drejtë themelore për çdo individ, duke vendosur një praktikë të avancuar dhe të përgjegjshme në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare në respektim të të drejtave të autorit.